Të shumtë janë futbollistët që kanë pasion makinat. Por rasti i Marquinhos është i veçantë. Ai ka një Ferrari, por preferon të përdorë taksitë. Mbrojtësi brazilian, kapiten i Paris Saint-Germain, në një intervistë ka folur për shumë gjëra. Një prej të cilave ka qenë edhe mjeti i tij luksoz.
“Ferrari-n e kam blerë kur erdha te PSG, por është e vërtetë se e përdor shumë pak. Nuk më pëlqen t’i jap makinës, më mërzit. E di se ka shumë futbollistë të cilëve u pëlqen të bëjnë xhiro me makinat e tyre, por unë nuk jam një nga ata.
Ferrari-n e marr kur mundem të marr një person të familjes ose një mik, për të bërë diçka të gjithë bashkë. Ta shes? Nuk flitet, është pjesë e historisë sime. Kur isha i ri, nuk është se familja ime notonte në ar. E di mirë se ajo makinë shihet si një tekë e një futbollisti të ri, por është pjesë e një ëndrre që është bërë realitet.
Kam ëndërruar gjithmonë të bëhem një futbollist profesionist, të luaj për një skuadër të madhe dhe të blej një makinë të bukur. Doja ta plotësoja këtë listë, kështu që dita që e kam blerë ka qenë legjendare. Me çelësat e Ferrari-t në dorë, i kam thënë vetes: ‘tani ia ke dalë me të vërtetë”.