Parlamenti i Greqisë ka ratifikuar marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit mes Shqipërisë e Greqisë, ka bërë të ditur ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj.
Në një postim në Facebook, Cakaj e ka cilësuar këtë si lajm të mirë për diplomacinë e Shqipërisë e për shqiptarët që jetojnë në Greqi.
“Parlamenti grek tashmë ka ratifikuar marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo marrëveshje lehtëson lëvizjen e shtetasve grekë dhe shqiptarë, si dhe kursen kohën e tyre të vyer nga procedurat e zgjatura dhe paratë e shumta për pajisjen me leje drejtimi!” ka deklaruar Cakaj.
Sipas tij, “ratifikimi i kësaj marrëveshje është në frymën e përpjekjeve të diplomacisë shqiptare për të ndërlidhur objektivat madhorë të politikës së jashtme me çështjet ditore të shqiptarëve”.