Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka nisur shpërndarjen e materialit ‘të ndjeshëm’ zgjedhor, përfshirë edhe fletëvotimet, në 18 komunat ku të dielën do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë.
Materialet fillimisht do të dorëzohen në Qenrat Komunale të Nuëmrimit, ndërsa në mëngjesin e së dielës ato do të shpërndahen nëpër qendra të votimit.
KQZ ka përditësuar edhe numrin e votuesve, ku ka përfshirë personat që kanë mbushur 18-vjeç nga data 13 tetor deri më 9 nëntor, ndërsa ka larguar personat e vdekur dhe ata që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës.
Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna është 1,316,672, pra vetëm 543 votues më shumë se në raundin e parë.
Për balotazh, KQZ ka shtypur 1,158,015 fletëvotime apo rreth 16% më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këtë raund.
Votimet do të mbahen në 525 qendra votimi, prej të cilave 507 janë qendra të rregullta ndërsa 18 të tjera, nga një për secilën komunë, është qendër e votimit me kusht.
Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të Komunave do të mbahet në: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Në këtë të fundit ka vetëm garë formale, pasi një prej kandidatëve është tërhequr nga gara.




