Katër fshatra, dikur të pushtuara, janë rimarrë, tha zëdhënësi i ushtrisë
Në luftimet midis Forcave të Armatosura të Republikës Demokratike të Kongos (FARDC) dhe milicive në provincën Ituri u vranë 23 militantë, njofoti ushtria, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas betejave të ashpra me pjestarët e grupit të milicisë “Bashkëpunimi për Zhvillimin e Kongos” (CODECO), ushtria rimori kontrollin e katër fshatrave dikur të okupuar nga militantët në Bese, 90 kilometra në veri të Bunia, në territorin e Djugu, u tha gazetarëve zëdhënësi i ushtrisë Jules Ngongo.
“Njëzet e tre militantë u vranë, 12 të tjerë u kapën dhe u sekuestruan shtatë armë AK 47”, tha ai.
Sipas tij, luftimet ishin pjesë e operacionit në vazhdim “Zaruba ya Ituri”, e nisur për t’i dhënë fund pasigurisë disadekadëshe në zonë.
Provinca verilindore e pasur me ar, Ituri, ka qenë skenë e tensioneve ndëretnike midis komuniteteve Lendu dhe Hema që nga dhjetori i vitit 2017, që çuan në dhunë të përhapur dhe abuzime të të drejtave të njeriut, të cilat kanë rezultuar me vdekje dhe shpërngulje masive të banorëve.
Më shumë se 200 milici të CODECO-së të akuzuar për mizori u janë dorëzuar forcave të FARDC-së në janar, ndërsa operacionet vazhduan ndaj grupeve të armatosura në lindjen e paqëndrueshme.
FARDC nisi një ofensivë në janar kundër militantëve që veprojnë në Ituri si pjesë e një operacioni më të gjerë të nisur tetorin e kaluar.
Ushtria u ka bërë thirrje militantëve të tjerë që të mblidhen në një vend tranzit për të shmangur ndjekjen.