Gjykata e Lartë amerikane vendosi të enjten të ndalë përdorimin e racës si faktor për pranimin në universitete. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, gjykata i dha kështu fund një politike prej dekadash për nxitjen e pranimit të personave nga shtresa të nënpërfaqësuara në sistemin e lartë arsimor të Shteteve të Bashkuara.
Me një votim 6 me 3, Gjykata e Lartë amerikane i dha fund një politike prej dekadash që lejonte marrjen në konsideratë të racës për pranimin në kolegje dhe universitete. Padia ishte paraqitur nga grupi “Studentët për Pranimet e Drejta”, duke akuzuar Universitetin e Harvardit dhe Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill, se diskriminojnë ndaj studentëve bazuar tek raca.
Presidenti Joe Biden tha se vendimi nuk duhet të ndryshojë objektivin për barazi në arsimin e lartë.
“Nuk duhet hequr dorë nga zotimi për t’u siguruar që studentët të vijnë nga prejardhje dhe eksperienca të shumëllojshme që reflektojnë të gjithë Amerikën”, tha Presidenti Biden.
Por shumë aktivistë, disa prej të cilëve thonë se ndikohen personalisht, e mirëpresin vendimin.
“Ngjyra e lëkurës nuk duhet të ketë të bëjë fare. Pra, nëse kolegjet vazhdojnë t’i shqyrtojnë aplikantët bazuar pjesërisht tek prejardhja racore, atëherë ne bëhemi një vend edhe më paragjykues”, thotë Kenny Xu, nga organizata “Color Us United”.
Politikat që marrin parasysh origjinën racore dhe etnike të studentëve që aplikojnë për arsim të lartë, ka qenë në fuqi që në vitet 1960.
Objektivi ka qenë rritja e shanseve për pranimin e studentëve, të cilët prejardhja racore dhe etnike i ka lënë me mundësi më të pakta për arsimim.
Analistët i thanë Zërit të Amerikës se vendimi do të ketë një ndikim të menjëhershëm.
“Do të shohim një rënie me 10% të pranimit të studentëve afrikano-amerikanë dhe hispanikë në institucionet më të mira të vendit, që merrnin në konsideratë racën gjatë procesit konkurues të pranimit”, thotë Katharine Meyer, nga Instituti Brookings.
Në materialin shpjegues të vendimit të marrë nga shumica e gjykatësve, Kryetari i Gjykatës, John Roberts, shprehet se “eliminimi i diskriminimit racor do të thotë eliminimi i plotë i tij”.
“Është një përfundim i drejtë që çdo student të shqyrtohet njësoj pa marrë parasysh racën”, thotë Jesse Park, mbështetës i vendimit të gjykatës.
Por, tre gjykatësit që votuan kundër shprehen se duke i dhënë fund pranimeve në universitete, që marrin në konsideratë edhe kriterin e racës, do të rriste pabarazinë. Një e diplomuar nga Universiteti i Harvardit tha gjatë dëshmisë së saj në Gjykatën e Lartë se identiteti nuk mund të eliminohet nga përvoja e jetës së një studenti.
“Nuk do të tregoja dot historinë e asaj çfarë jam, pa kontekstin e racës dhe kombësisë. Do të shtoja se kam një ndjesi të thellë krenarie në atë çfarë përfaqësoj si sino-amerikane, si aziatike, që mendoj se është një pjesë e rëndësishme e historisë sime”, thotë Sally Chen, nga organizata “Chinese for Affirmative Action”.
Në qershor 2023, në një anketim të Yahoo News/YouGov, 41% e amerikanëve thanë se mbështesin politika pranimi në universitete që nuk marrin parasysh racën.
( Marrë nga Zëri i Amerikës )