Maqedonia
Reagime për 100 ditët e para të qeverisë së Maqedonisë së Veriut
Partitë opozitare, si ato shqiptare edhe maqedonase vlerësojnë se qeveria e kryeministrit Hristijan Mickovski për 100 ditët e para në detyrë ka vënë në rrezik arritjet e deritanishme dhe se po nënçmon sidomos komunitetin shqiptar. Ndërkaq, kryeministri thotë se rruga evropiane mbetet me përparësi për qeverinë e tij.
Koalicioni i partive opozitare të “Frontit Evropian” e vlerëson punën 100-ditëshe të qeverisë së Maqedonisë së Veriut si një periudhë përplot me nënçmime, sidomos ndaj shqiptarëve dhe me dështime e skandale.
Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim i vlerëson veprimet e kabinetit qeveritar të Hristijan Mickovskit si një fushatë histerike anti-shqiptare. Ndërkohë, zoti Ahmeti i hedh poshtë spekullimet se Fronti Evropian mezi pret të bëhet pjesë e qeverisë:
“Nuk meritojnë shqiptarët dhe komunitetet e tjera këtë nënçmim dhe përbuzje. Nuk e lejojmë këtë. Ne nuk jemi të interesuar të bëhemi pjesë e kësaj qeverie, sepse nuk jemi gomë rezërvë. Ne nuk jemi përfaqësues të anarkisë e revanshizmit; ne nuk veprojmë sipas instiktit, sepse jemi ndërtuar sipas ideologjisë kombëtare”, u shpreh zoti Ahmeti të mërkurën para zyrtarëve dhe përkrahësve të koalicionit opozitar.
Fronti Evropian i hedh poshtë edhe akuzat e zotit Mickovski se opozita shqiptare në krye me BDI-së synon ta destabilizojë vendin.
“Ne do ta mbrojmë me shumë vendosmëri demokracinë e këtij vendi. Protestat nuk janë destabilizim, por janë demokratizim i një shoqërie; proces që nuk përfundon kurrë”, tha Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Venko Filipçe, kryetar i Lidhjes Social Demokrate shprehet se VMRO-ja për këto 100 ditë e la vendin në fund të Ballkanit.
“Mickovski vendosi në mënyrë të njëanshme t’i ndërpresë bisedimet me Bashkimin Evropian sikur shteti të ishte pronë e tij. Ai nuk ka as mandat e as të drejtë ta bëjë një gjë të tillë”, tha kreu social-demokrat.
Ndërkaq, kryeministri Hristijan Mickovski thekson arritjet, siç është ngritja e pensioneve për 40 euro për mbi 330 mijë pensionistë, ivestime kapitale, sipas tij prej 250 milionë eurosh për komunat, punësimin e 600 mjekëve, investime të huaja në një shumë prej 600 milionë euro.
“Nuk duhet t’u kthehemi atyre politikanëve të cilët kaluan dekada në politikën e vendit dhe ajo për çka do të mbahen mend janë dy gjëra: shumë korrupsion dhe shumë tradhëti për interesa personale”, u shpreh një ditë më parë zoti Mickovski .
Ai thotë se e ardhmja e vendit është në familjen evropiane, por se “nuk do t’ua lustrojë këpucët disa politikanëve evropianë”, siç u shpreh ai lidhur me kushtet që BE-ja i ka vënë Maqedonisë së Veriut për vazhdimin e bisedimeve me Bllokun.
“Me mua mund të bisedohet vetëm mbi bazën e argumenteve dhe jam i gatshëm t’i pranoj argumentet e tjetrit kur janë më të fuqishme se ato të miat”, tha ai.
Ndërkohë, analisti Isen Saliu vlerëson se në këto 100 ditë të qeverisë pati kundërthënie të dyfisha si në relacionin qeveri – opozitë, po ashtu edhe në mes vetë partnerëve të koalicionit qeverisës.
SB “Këto antagonizma patën efektin negativ në veprimin e qeverisë. është herët për të bërë vlerësimin e saktë sepse 100 ditë janë ndoshta një e dhjeta e mandatit të një qeverie, mirëpo ka shumë çështje që janë hapur dhe ka pak çështje që janë realizuar”, thotë zoti Saliu.
Analisti thotë se janë hapur çështje të rëndësishme prej të cilave varet se në ç’drejtim do të lëvizë ky koalicion qeveritar, dhe vetë Maqedonia e Veriut, e veçanrisht çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndëretnike. Në këtë kuadër, ai nënvizon atë që njihet si ‘balancues’ e që është një instrument për përfaqsimin e drejtë në bazë të përkatësisë etnike në administratën publike dhe Ligjin për gjuhën shqipe, të cilat do t’i rishikojë Gjykata Kushtetuese.
SB: “Këto janë tregues që flasin dhe paralajmërojnë zhvillime të bujshme brenda koalicionit qeveritar që shumë lehtë në momente të caktuara mund të rezultojnë edhe me shpërbërjen e koalicionit (qeveritar) dhe formimin e një koalicioni tjetër”, thekson analisti Saliu.
Analastët nuk e përjashtojnë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare vitin e ardhshëm edhepse kjo shumicë parlamenatre është shumë afër dy të tretave të votave në parlamentin prej 120 vendesh. /VOA
Maqedonia
Pse po rritet numri i turqve që kërkojnë shtetësi në Maqedoninë e Veriut?
“Jeta në Turqi është bërë politikisht shumë e vështirë, por edhe tepër e shtrenjtë për një familje, prandaj për mua ishte më e lehtë të shpërngulesha këtu dhe të kërkoja shtetësi maqedonase”, shpjegon 28-vjeçari Benk Bingjul për Shërbimin e Maqedonisë së Veriut të Radios Evropa e Lirë (REL).
Ai prej disa muajsh punon si menaxher në një kafene në Shkup, e cila është në pronësi të biznesmenëve turq. Kanë kaluar tashmë dy vjet qëkurse ai u shpërngul nga Antalia në Shkup me bashkëshorten e tij maqedonase. Për këtë arsye ka marrë leje qëndrimi, ndërsa para një muaji bëri kërkesë për shtetësi maqedonase. Ai thotë se i mungon qyteti i lindjes për shkak të jetës pranë detit dhe plazhit, por këtu jeta është më e lirë.
“Për shembull, në shitore, një blerje e zakonshme për shtëpi: perime, vezë, mish, qumësht, edhe nëse blen minimalisht, duhet të paguash rreth 280–300 euro. Ndërsa me këto para në Shkup mund ta mbushësh makinën e vjetër plotësisht: bagazhin, sediljen e përparme dhe të pasmen. Në Turqi kjo është e pamundur”, thotë Bingjul.
Ai nuk e flet mirë gjuhën maqedonase, por thotë se ushtron me bashkëshorten e tij. Një nga kushtet që, sipas ligjit maqedonas, duhet të plotësojë është dhënia e provimit për njohjen e gjuhës maqedonase.
“E kuptoj disi maqedonishten, di të lexoj me alfabet latin, por jo me cirilik. Këtë duhet ta mësoj”, thotë ai. Megjithatë, ky kusht nuk vlen për ata që dëshmojnë se kanë prejardhje maqedonase.
Vala e kërkesave të turqve për shtetësi maqedonase
Përveç njerëzve si Bingjul, të cilët kërkojnë shtetësi maqedonase për shkak të martesës me shtetase maqedonase, gjithsej 10.500 qytetarë turq kanë kërkuar shtetësi maqedonase gjatë katër vjetëve të fundit mbi bazën e prejardhjes maqedonase, tregojnë të dhënat që REL-i i ka marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Sipas MPB-së, këta janë shtetas të Turqisë që duhet të dëshmojnë në institucionet maqedonase se janë mërgimtarë nga ky vend dhe se kanë prejardhje etnike maqedonase. Në përgjigjen për REL-in, MPB-ja thekson se arsyeja e rritjes së numrit të kërkesave për shtetësi maqedonase lidhet me ndryshimet e fundit ligjore.
“Ndryshimet ligjore të vitit 2021 kontribuuan në një rritje enorme të numrit të kërkesave për fitimin e shtetësisë maqedonase nga mërgimtarët që jetojnë në Republikën e Turqisë”, tha MPB-ja.
Përkufizimi i ri i “mërgimtarit” në Ligjin për Shtetësinë
Bëhet fjalë për ndryshime në Ligjin për Shtetësinë të propozuara nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga koalicioni LSDM dhe BDI. Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, propozoi në Kuvend ndryshime në ligj me të cilat përcaktohet se kush konsiderohet mërgimtar.
Sipas ligjit, mërgimtari dhe pasardhësi i tij i gjeneratës së parë mund të fitojnë shtetësi maqedonase pa jetuar në vend, pa e njohur mjaftueshëm gjuhën maqedonase dhe pa hequr dorë nga shtetësia e mëparshme – rregull që vlen për shtetasit e huaj.
“Mërgimtar, në kuptim të këtij ligji, konsiderohet qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut që është shpërngulur nga Republika e Maqedonisë së Veriut në një shtet tjetër, pa marrë parasysh gjininë, racën, ngjyrën e lëkurës, prejardhjen kombëtare dhe shoqërore, bindjet politike dhe fetare, si dhe statusin pasuror dhe shoqëror”, thuhet në Ligjin për Shtetësinë.
Sipas regjistrimit të vitit 2021, i realizuar në periudhën kur këto ndryshime ligjore hynë në fuqi, 3.9 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut i përkatësin etnisë turke. Të dhënat tregojnë se nga 83.000 turq etnikë, rreth 71.000 jetojnë në vend, ndërsa 12.000 jashtë vendit.
Biznesi, punësimi dhe arsimi si motive për migrim
Interesi i qytetarëve turq për qëndrim në vend vërehet edhe në jetën e përditshme – nga dyqanet që ofrojnë ushqime tradicionale turke deri tek të rinjtë që shëtisin në qendër të Shkupit.
Analisti Donço Gerasimovski thotë se motiv për rritjen e kërkesës për shtetësi maqedonase nga qytetarët turq mund të jenë biznesi, punësimi ose arsimi, ndërsa sipas tij interesi më i madh shihet në fushën e biznesit.
“Merrni si shembull ndërtimtarinë operative. Sa objekte po ndërtohen në vendin tonë, ndërtesa banimi të mëdha dhe të gjera, të realizuara nga kompani turke. Që ta bëjnë këtë në përputhje me ligjin, ata duhet të rregullojnë edhe shtetësinë e tyre. Gjithçka është në funksion të interesit të biznesmenëve, sportistëve dhe atyre që kanë më shumë fitime këtu sesa në vendet e tyre”, shpjegon Gerasimovski.
Ai shton se kjo ndikon edhe në strukturën etnike të popullsisë. “Të gjithë këta persona, varësisht nga vendet nga vijnë, e rrisin numrin e asaj përkatësie etnike”, thotë ai. Me rritjen e interesit për shtetësi, në vend vërehet edhe rritje e kapitalit turk, përkatësisht e kompanive të hapura nga pronarë turq.
Mbi 4.000 kompani të themeluara me kapital turk
Sipas të dhënave që REL-i ka marrë nga Dhoma Ekonomike Maqedonaso-Turke (MATTO), për vitin 2024 numri i kompanive të regjistruara me kapital turk nga persona juridikë dhe fizikë arrin në 4.132. Sipas tyre, interesi i biznesit buron nga marrëdhëniet e afërta maqedonaso-turke.
“Ato bazohen në lidhjen e përbashkët historike nga periudha osmane, numrin e konsiderueshëm të mërgimtarëve nga këto troje në Republikën e Turqisë, si dhe lidhjet familjare dhe kulturore ekzistuese mes qytetarëve të të dyja vendeve. Për më tepër, Republika e Maqedonisë së Veriut paraqet një portë strategjike drejt tregjeve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për kompanitë nga Republika e Turqisë, gjë që rrit atraktivitetin e saj si destinacion investimesh”, thuhet në përgjigjen e MATTO-s për REL-in.
Në rritje është edhe numri i studentëve që vijnë në vend. Sipas profesorit Kiril Barabareev nga Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip, gjatë 12 vjetëve të fundit rreth 900 studentë nga Turqia janë regjistruar në këtë universitet.
“Sipas bisedave që kam pasur, Turqia ka shumë të rinj që nuk arrijnë të regjistrohen në sistemin e tyre universitar dhe, duke qenë se arsimi privat atje është shumë i shtrenjtë, ata kërkojnë universitete në rajon ku mund të studiojnë”, thotë ai.
Pasaporta maqedonase dhe udhëtimi pa viza në zonën Shengen si motiv
Mediat turke, pas ngjarjeve në Mal të Zi, ku në tetor të këtij viti u hoq përkohësisht regjimi pa viza për shtetasit turq për shkak të një sërë incidentesh, shkruajnë se Maqedonia e Veriut është bërë destinacion i ri tërheqës për qytetarët turq për shkak të përparësive që ofron.
Një nga arsyet që theksohet është mundësia për udhëtim pa viza në zonën Shengen me pasaportë maqedonase. Po ashtu, përmenden procedura e shpejtë dhe e lirë për themelimin e kompanive, si dhe kostot e përballueshme të jetesës – qiraja, ushqimi dhe transporti – që janë më të ulëta krahasuar me Turqinë.
“Afërsia me Evropën, edhe pse nuk është anëtare e BE-së, pozita strategjike në Ballkan mundëson qasje të lehtë drejt Evropës”, thuhet në analizë.
Ndërkohë, Mali i Zi më 24 dhjetor hoqi vizat për shtetasit turq, por e uli qëndrimin e lejuar nga 90 ditë në 30 ditë, me qëllim, sipas qeverisë malazeze, parandalimin e migrimit ilegal dhe harmonizimin me politikën e vizave të Bashkimit Evropian.
Sipas ndryshimeve të fundit të rregullave evropiane për udhëtimin pa viza, të miratuara muajin e kaluar, është hapur mundësia për pezullim më të shpejtë të regjimit pa viza për vendet jashtë BE-së që paraqesin shqetësim për migrimin ose sigurinë. Maqedonia e Veriut, së bashku me Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Bosnjën dhe Serbinë, bën pjesë në grupin e vendeve që mund të përballen me monitorim të shtuar për zbatimin e këtyre rregullave.
Disa nga arsyet për vendosjen e kufizimeve mund të jenë harmonizimi i dobët me politikën e vizave të BE-së dhe programet për dhënien e shtetësisë për investitorë, të ashtuquajturat “pasaporta të arta”, që mundësojnë marrjen e shtetësisë pa lidhje reale dhe të dëshmueshme me vendin. Gjithashtu, po shqyrtohen edhe rreziqe sigurie të lidhura me kërcënime hibride, përfshirë përdorimin politik të migrimit dhe dobësitë në sigurinë e dokumenteve personale, gjë që e ndërlikon edhe më tej pozitën e vendeve të treta që kanë regjim pa viza me BE-në./REL
Maqedonia
“E kishin lënë makinën ndezur”, Policia e Tetovës jep detaje për vjedhjen e veturës së Adrit dhe Ilirianës në Maqedoninë e Veriut
Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka dalë me detaje në lidhje me rastin e vjedhjes së makinës së artistëve Adri dhe Iliriana.
Nga SPB Tetovë thonë se rastin në polici e ka raportuar K.R (31) nga Kosova, ndërsa makina e artisëve në rastin që është vjedhur ka qenë e ndezur.
“Më 26.12.2025 në ora 04:15 në SPB Tetovë, K.R.(31) nga Kosova ka denoncuar se rreth orës 01:40, nga hapësira e parkimit të një objekti hotelierik në fshatin Zhelinë të Tetovës, i është marrë automjeti i tij i pasagjerëve „Audi A6“ me marka kombëtare të Kosovës, i cili ishte me dyer të pa bllokuara dhe me motor të ndezur, e në të cilin ndodheshin dokumenti i tij i udhëtimit dhe ai i bashkëshortes së tij. Po ndërmerren masa për gjetjen e automjetit dhe për zbardhjen e rastit”, thonë nga SPB Tetovë.
Lajmin për vjedhjen e makinës e bëri të ditur Adri përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Instagram, duke kërkuar ndihmë nga qytetarët për gjetjen e veturës së tij.
“Ju kisha lut shqiptarëve të Maqedonisë me na ndihmu për gjetjen e veturës pasiqë edhe e kemi lajmëru veturën në institucione”, shkruan Adri në postimin e tij.
Ai ka lënë gjithashtu numrin e kontaktit për çdo informacion që mund të çojë në gjetjen e veturës.
Automjeti në fjalë është i tipit Audi 6, dhe Adrit dhe Iliriana shpresojnë që me ndihmën e qytetarëve të mund ta rikuperojnë sa më shpejt.
Maqedonia
Shifrat/ Rritet numri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ulet i maqedonasëve
Në 10-vjeçarin e fundit, Maqedonia e Veriut po përballet me rënie të numrit të popullsisë, por jo në të gjitha komunitetet. Shqiptarët shënojnë shifra pozitive sa i përket lindjeve dhe vdekjeve, ndërsa maqedonasit kanë regjistruar një shtim natyror negativ prej rreth 4.100 personash më pak. Specialistët theksojnë se duhet të ndryshohen politikat dhe se çiftet e reja duhet të kenë mbështetje për krijimin e familjeve.
Në nivel shtetëror janë regjistruar 16.061 lindje dhe 20.201 vdekje, duke rezultuar me një shtim natyror negativ. Megjithatë, ndarja sipas përkatësisë etnike zbulon një diferencë të thellë mes komuniteteve kryesore.
Popullsia maqedonase: 6.841 lindje, 14.760 vdekje, bilanc –7.919
Popullsia shqiptare: 5.473 lindje, 3.309 vdekje, bilanc +2.164
Te maqedonasit, për çdo 100 lindje ka pasur rreth 216 vdekje, tregues i qartë i plakjes së popullsisë dhe rënies së vazhdueshme të lindshmërisë. Ndërsa te shqiptarët, për çdo 100 lindje ka rreth 60 vdekje, që mbajtën bilancin natyror pozitiv edhe në kushte emigrimi.
Bilanci sipas komunave
Shkup (gjithsej): –17 (maqedonas –1.395, shqiptarë +1.287)
Karposh: –244 (maqedonas –242, shqiptarë +1)
Kisela Voda: –258 (maqedonas –253, shqiptarë 0)
Manastir: –459 (maqedonas –774, shqiptarë –15)
Çair: +351 (maqedonas –100, shqiptarë +427)
Saraj: +332 (maqedonas +3, shqiptarë +329)
Studeniçan: +137 (maqedonas +1, shqiptarë +84)
Haraçinë: +138 (maqedonas +2, shqiptarë +133)
Analistët vlerësojnë se ndryshimi demografik do të ndikojë drejtpërdrejt në strukturën e arsimit, tregun e punës dhe sistemin pensional, si dhe në balancat politike dhe ekonomike të vendit në dekadat e ardhshme.
Në të kaluarën, Maqedonia e Veriut ka pasur politika për shtimin e popullsisë, si pagesa mujore për fëmijën e tretë dhe të katërt, të cilat nuk kanë treguar sukses të dukshëm. Së fundmi, është paralajmëruar rikthimi i fokusit te politika të reja, duke përfshirë lehtësime për blerjen e banesave për çiftet e reja, me synimin për të adresuar arsyet pse të rinjtë martohen më rrallë dhe krijojnë familje me vonesë.
Madje, në mënyrë të diskutueshme dhe për të testuar opinionin publik, kryeministri Hristijan Mickoski kishte deklaruar se beqarët do të paguanin taksa, deklaratë që u prit me reagime të ashpra në opinion.
-
Albania13 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK12 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports11 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania13 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania1 day agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
UK1 day agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
