Bashkëshortja e ish-deputetit socialist Andis Harasani, i cili u ndaj nga jeta në moshën 53-vjeçare, ka ndarë një mesazh prekës pas humbjes së parakohshme të tij.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Suela Kapllani Harasani, shkruan se ish-deputeti humbi jetën pas një beteje të gjatë me kancerin.
“Me keqardhje të thellë, duhet të pranojmë se nuk ia doli të fitojë betejën kundër kancerit. Ne, Thea dhe Henry, do të jemi përjetësisht mirënjohës për këtë rrugëtim të paharrueshëm jete që ndamë me të”, shkruan ajo.
Në përmbyllje të mesazhit, bashkëshortja e Andisit theksoi se ai do t’i mungojë pafundësisht, por do të mbetet gjithmonë pjesë e jetës së saj dhe të fëmjëve të trye.
“Ti do të mbetesh gjithmonë në zemrat tona, si njeriu më i shtrenjtë, me humorin tënd të veçantë, mençurinë dhe guximin për të ecur përpara. Do të na mungosh pafundësisht, dashuria jonë!”, përfundon ajo.
Reagimi i bashkëshortes së Andis Harasanit
Me dhimbje të thellë, ju njoftojmë për humbjen e parakohshme të njeriut tonë të shtrenjtë, babait, bashkëshortit, djalit, vëllait dhe mikut tonë të dashur, Andis Harasani. Andisi ynë luftoi me të gjitha forcat, besimin dhe vendosmërinë që e kanë karakterizuar gjithmonë.
Ai luftoi për jetën dhe nuk ndaloi kurrë së ofruari dashuri, mbështetje dhe forcë për të gjithë ne.
Me keqardhje të thellë, duhet të pranojmë se nuk ia doli të fitojë betejën kundër kancerit.
Ne, Thea dhe Henry, do të jemi përjetësisht mirënjohës për këtë rrugëtim të paharrueshëm jete që ndamë me të.
Ti do të mbetesh gjithmonë në zemrat tona, si njeriu më i shtrenjtë, me humorin tënd të veçantë, mençurinë dhe guximin për të ecur përpara. Do të na mungosh pafundësisht, dashuria jonë!
Detajet për ceremoninë e lamtumirës do të ndahen në ditët në vazhdim.