Reali e pret Valencian me shumë mungesa

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Lideri i La Ligës, Real Madridi, do të jetë nikoqir i Valencias të shtunën në orën 21:00, teksa do të mundohet t’u rikthehet rezultateve pozitive pas rezultatit dëshpërues të xhiros së kaluar.

Reali humbi nga Getafe 1:0 vikendin e kaluar, ndërsa trajneri Carlo Ancelotti kritikoi lojtarët për paraqitje shumë të dobët.

Këtë fundjavë madrilenët do të luajnë kundër Valencias së përmirësuar. Nën drejtimin e trajnerit Jose Bordalas Jimenez, Valencia nuk kishte humbur që nga fundi i tetorit, deri kur u mposht 2:1 në shtëpi nga Espanyoli në xhiron e fundit të ligës.

Reali ishte me fat në Kupën e Mbretit kur e eliminoi Alcoyanon të mërkurën pasi fitoi 3:1 me dy gola në fundin e ndeshjes.

Në ligë Reali është i pari me 46 pikë në 20 ndeshje, por skuadra e vendit të dytë, Sevilla, është vetëm pesë pikë larg dhe e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Getafe ia ndali Realit serinë e 15 ndeshjeve pa humbje. Solli edhe kujtesën e sezonit 2014/15, kur, në krye me Ancelottin po ashtu, Reali humbi pas 22 xhirove nga Valencia në muajin janar.

Atë edicion Barcelona, e cila pati nisje të dobët të sezonit, u rikthye për ta fituar tripletën, La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve.

Skuadra nga Katalonja është larg prej atij edicioni sa i përket formës. Është në vendin e pestë me 15 pikë më pak se Reali.

Vendin që dërgon në garat evropiane, Barcelona e arriti vikendin e kaluar për herën e parë sivjet, qëkur Xavi Hernandez e zëvendësoi Ronald Koemanin si trajner në muajin nëntor me fitoren 1:0 në Mallorca. Në atë ndeshje Barçës nuk i luajtën 14 lojtarë për shkak të Covid-19, lëndimeve dhe suspendimeve.

Barcelona do të qëndrojë në Andaluzi, aty ku e mposhtën 2:1 skuadrën e kategorisë së tretë, Linares, në Kupën e Mbretit të mërkurën. Tani do të luajë në udhëtim te Granada, që nuk di për humbje në La Liga prej muajit nëntor. Granada – Barcelona zhvillohet të shtunën në orën 18:30.

Sevilla do të mundohet të mbetet në krye të tabelës. Të dielën luan kundër Getafes në shtëpi në orën 16:15.

Atletico Madridi që është kampion në fuqi në Spanjë e ndali serinë e katër disfatave rresht në ligë, pasi fitoi 2:0 kundër Rayo Vallecanos, falë dy golave të Angel Correas.

Madrilenët e Atleticos do të luajnë të dielën në orën 21:00 në udhëtim te Villarreali.

Share This Article