Ambasadori i Silvio Gonzato theksoi rëndësinë e një reforme territoriale gjithëpërfshirëse dhe transparente, e cila duhet të mbështetet në të dhëna të sakta dhe konsensus të gjerë.
Gjatë takimit me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku dhe Luçiano Boçi, ai nënvizoi se shpejtësia e reformave nuk duhet të komprometojë cilësinë dhe as demokracinë vendore.
Sipas Gonzatos, autoritetet vendore duhet të kenë autonomi reale në vendimmarrje dhe kapacitete të mjaftueshme për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.
“Takim konstruktiv sot me bashkëkryetarët Arbjan Mazniku dhe Luçiano Boçi të Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale dhe Administrative në Kuvendin e Shqipërisë. Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, theksoi rëndësinë e një reforme gjithëpërfshirëse dhe plotësisht transparente, të ndërtuar mbi të dhëna të sakta dhe konsensus të gjerë. Shpejtësia e reformave nuk mund të vijë në kurriz të cilësisë dhe rritja e efikasitetit nuk mund të vijë në kurriz të demokracisë vendore. Njëkohësisht, është e rëndësishme që funksionet të shoqërohen me financim të mjaftueshëm, në mënyrë që autoritetet vendore të kenë autonomi reale në vendimmarrje, të mbështetur nga kapacitetet e nevojshme. Mbetet thelbësore që reforma të sjellë shërbime më të mira për qytetarët dhe të jetë në përputhje me standardet evropiane”, thuhet në reagim.


