Ish-deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari i ftuar në RTV Ora, u shpreh se kryeministri Ram kërkon që t’i ikë dakordësisë së arritur për reformën zgjedhore.
Sipas tij, Rama e bën këtë pasi kërkon që të bllokojë procesin e integrimit të vendit tonë në BE.
“Rama është dredharak dhe tentoi që t’i ikë dakordësisë, si për të zgjidhur një krizë politike ashtu edhe për të çuar përpara një reformë zgjedhore. Asnjë partie nuk i intereson, pasi pikë së pari i intereson qytetarëve dhe rivendosjes së demokracisë. Edi Rama i iku kësaj dakordësie, nxjerr në parlament deputetë të sponsorizuar nga ai, pasi i intereson kaosi. Gjithë kjo përpjekje te tij për të rrënuar këtë dakordësi, i intereson pasi do që të bllokojë procesin e integrimit.
Opozita ka kushtuar gjithë energjitë e saj në mënyrë që kjo marrëveshje t’u shërbejë qytetarëve të këtij vendit, procesit zgjedhor dhe integrimit. Unë besoj se do të ecë para se nuk ka ku të shkojë. Ramës i ka rënë maska i cili prish dakordësinë. Rama ka bllokuar parlamentin për këshillin lokal të Fierit ndërkohë nuk kalonin ligjet dhe proceset integruese. Është proces i bërë disa herë nga Rama, pasi do që të manipulojë procesin zgjedhor, sepse vetëm kështu ka shpresë për të zgjatur pushtetin e tij të degraduar”, tha Braimllari.
Braimllari shtoi se garancitë e arritura në këshillin politik nuk janë vetëm për të shkuar me rregulla të barabarta në zgjedhje, por kanë të bëjnë edhe me pushtetet e vendosura nga Be për negociatat.
“Çështja e një qeverie tranzitore është politike, por çështja sot është teknike, pasi ka të bëjë me garancitë dhe siguritë për rregullat e barabartë të lojës. Këto rregulla nuk kanë të bëjnë vetëm në përcaktimin e asaj se si do të shkojmë në zgjedhje, por edhe më një vendim të rëndësishëm të BE-së për 15 kushtet që janë vendosur. Rama thoshte pak muaj më parë se nuk ka 15 kushte, por vetëm pak ditë më parë u konfirmuan këto kushte dhe u bë e qartë se nuk ka proces integrimi nëse nuk plotësohen këto 15 kushte. Shqipëria duhet të kthehet në shinat e kushtetuetshmërisë.
Këto 15 kushte janë vendosur drejtpërsëdrejti për qeverinë e Edi Ramës. Nga 5 kushte që ishin pak muaj më parë, u bënë 15. Pra. Sa më shumë zgjatet pushteti i Edi Ramës, aq më shumë kushte vendosen në procesin e negociatave, pasi ky njeri nuk ka treguar se është pro aspirimit për të shkuar në BE”, tha ai.