Reforma Zgjedhore, Gonzato: Parakusht për anëtarësimin e Shqipërisë në BE! Ambasadori i OSBE: Dialog mes partive

albnews
By
5 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Ditën e sotme, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore zhvilloi një tryezë konsultimi të fokusuar në financimin e partive politike, një prej çështjeve kyçe të reformës në proces.

Në takim morën pjesë ambasadorë në vendin tonë, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, si dhe dy bashkëkryetarët e Komisionit, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.

Gjiknuri theksoi se ligji për financimet e partive politike është prioritet, dhe një nga pikat kyçe që kanë të bëjnë edhe me rrugën evropiane të vendit.

Gjiknuri: Ndërtimi i një ligji me parametrat që kërkon koha është objektiv i rëndësishëm i joni.  Ligji nuk do të udhëhiqet nga parimi që njëra forcë të dominojë tjetrën, do të jetë proporcional, me standardet më të mira por edhe duke marrë parasysh edhe jetën shoqërore dhe traditën e shoqërisë shqiptare. Duke mos u kthyer një barrë e rëndë për partitë e vogla politike që mbase mund ta kenë më të vështirë nga kërkesat që mund të bëhen nga ky ligj. Duhet të gjejmë një balancë që tregon transparencë, kontroll, auditim të pavarur dhe të parandalojmë fenomene që janë ndikime të paligjshme si financimet nga burime të papranueshme, qoftë nga bota kriminale e interesa biznesi të lidhura me pushteti apo fuqi të huaja.

Bashkëkryetari i këtij Komisioni, Oerd Bylykbashi theksoi rëndësinë e transparencës dhe të financimit të partive për ruajtjen e pluralizmit politik.

Bylykbashi: Transparenca nuk funksionin pa patur ujë në burim. Ne duhet të kujdesemi që financimi të jetë i mjaftueshëm dhe i shëndoshë që partitë të funksionojnë në sistemin parlamentar. Duhet të bëjmë një balancë mes transparencës dhe pluralizmit. Tema sot është si të ndërtojmë një sistem financimi dhe transparencë të financimit që prodhon pluralizëm dhe jo një regjim financiar që do të ekspozonte partitë politike, kryesisht atyre të opozitës, karshi instrumenteve kontrollues të një shteti të kapur, apo një shteti që ka hyrë dhe ka pushtuar zgjedhjet.

Kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran. Theksoi rëndësinë e dialogut politik mes partive për ecurinë e Reformës.

Tarran: Rifillimi i punës së komisionit, sinjal pozitiv. Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar. Vendosja e sanksioneve për të parandaluar financimet e paligjshme. Parimet janë të lidhura ngushtë me gjetjet dhe rekomandimet e fundit të OSBE-ODIHR për financimin e partive nga zgjedhjet e fundit. Thelbësore është kuadri i financimit të partive politike dhe kuadri ligjor i paplotë që çon në një element të rëndësishëm. Raportet e zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe të mëparshmet evidentuan një sërë fushash me probleme. Në këtë kuadër prezenca e OSBE thekson angazhimin e saj për të mbështetur punën e këtij Komisioni për Reformën Zgjedhore, me prezencën e saj. Mbështesin dialogun mirëkuptiv mes partive politike, pasi dialogu konstitucional është thelbësor dhe rrit besimin e qytetarëve te procesi zgjedhor”, vijoi kreu diplomatik i OSBE-së.

Ndërsa ambasadori i BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato theksoi se Reforma Zgjedhore është një nga parakushtet për integrimin e vendit në Unionin evropian.

Gonzato: Shprehëm vullnetin dhe përkushtimin tonë për të mbështetur punën tuaj të rëndësishme në shumë mënyra të mundshme. Në kontekstin aktual, fryma e dialogut për tema të tilla është thelbësore. Mirëpres mirëkuptimin midis të dy bashkëkryetarëve që reforma duhet të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve dhe standardet ndërkombëtare.

Përmirësimi i sundimit të ligjit dhe përkushtimi i palëkundur ndaj standarteve evropiane është kyçe për Shqipërinë, përputhshmëria me piketat e ndërmjetshme dhe ndaj kemi këtë kohë apo afat e trysni për komisionin. Reforma zgjedhore është nevojë demokratike, besimi në zgjedhje është besim në demokraci. Ky besim nuk mund të ekzistojë kur burimet e financimit janë të paqarta apo mbikëqyrja është e dobët.

Financimi është parakusht për procesin e anëtarësimit në BE. Reforma zgjedhore, mbetet përparësi vendimtare në kuadër të kornizës së BE dhe lidhet ngushtë me themeloret. Reforma duhet të garantojë pluralizmin politik dhe të sigurojë fushë loje të barabartë për të gjithë aktorët.

Share This Article