Sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel, ka njoftuar për zhvillimin e një takimi më efektivët e Policisë shqiptare.
Kjo, sa i takon diskutimeve dhe planeve konkrete për të shpejtuar largimin e shtetasve shqiptarë që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet kalimeve me varka të vogla.
Takimi ishte pjesë e dy ditëve të bisedimeve mbi bashkëpunimin sa i takon mjekësisë ligjore dhe biometrike për të mos lejuar askënd me precedentë penalë që të shkojnë nga Shqipëria në MB.
Patel dhe ministri shqiptar i punëve të brendshme, Bledi Çuçi, nënshkruan një marrëveshje për të luftuar bandat kriminale që trafikonin njerëz nga vendi ballkanik në të gjithë Evropën në Calais.
Specialistët nga ekipet e zbatimit të ligjit dhe inteligjencës në Mbretërinë e Bashkuar dhe shqiptare do të ndihmojnë për t’u dakordësuar mbi detajet përfundimtare se si do të veprojnë ekipet e vijës së parë për të trajtuar fluksin e shqiptarëve nëpër Kanal.
Shifrat e publikuara javën e kaluar treguan se 2 mijë e 165 shqiptarë u regjistruan teksa mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla midis janarit dhe qershorit 2022, krahasuar me vetëm 23 të zbuluar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas, Zyrës së Brendshme, Shqipëria është një “vend i sigurt dhe i begatë” dhe shumë shtetas “po udhëtojnë nëpër vende të shumta për të bërë udhëtimin në MB” përpara se të bëjnë “kërkesa të rreme për azil kur të mbërrijnë”.
Por, Këshilli i Refugjatëve ka thënë se do të ishte gabim të paragjykoheshin rastet dhe se shumica e kërkesave për azil nga shtetasit shqiptarë në MB pranohen.
Zyra e Brendshme tha se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe ajo shqiptare po zbatonin mënyra të reja të përbashkëta pune.
Duke përfshirë këtu punën e zbatimit të ligjit krah për krah në të dy vendet për të përpunuar mbërritjet, kontrolluar bazat e të dhënave kriminale dhe shkëmbimin e inteligjencës në kohë reale.
“Është e turpshme dhe absurde që kaq shumë shtetas shqiptarë po hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla kur vendi i tyre, Shqipëria, është një vend i sigurt. Në vitin 2021 nënshkrova marrëveshjen tonë të parë të largimit me qeverinë e Shqipërisë, e cila mbulonte bashkëpunimin e përbashkët për trajtimin e krimit të organizuar, migracionit të paligjshëm dhe çështjeve të zbatimit të ligjit midis dy vendeve tona”, tha Patel në përfundim të fjalës së saj.