Disa shtete që kanë strehuar refugjatë nga Siria kanë filluar t’i kthejnë ata në zonat e ndjeshme të vendlindjes së goditur nga lufta shumëvjeçare. Këto veprime kanë ngjallur frikë për deportime masive të refugjatëve.
Sirianët që jetojnë në Stamboll të Turqisë dhe Bejrut të Libanit janë bërë cak i autoriteteve të imigracionit javëve të fundit. Më shumë se një mijë refugjatë sirianë janë ndaluar nga policia e Stambollit dhe atyre u janë dhënë 30 ditë afat që të largohen nga vendi.
Disa refugjatë kanë thënë se personat e ndaluar po dërgohen në tri qendra të ndalimit. Sipas tyre, autoritetet ua kanë konfiskuar telefonat, nuk kanë pasur mundësi të komunikojnë me familje ose avokatë dhe janë detyruar të nënshkruajnë letra, në të cilat shkruhet se kanë pranuar që vullnetarisht të kthehen në Siri.
Shkalla dhe shpejtësia e këtyre arrestimeve paraqesin ndryshim të madh të politikës turke për dyer të hapura për refugjatët sirianë. Raportohet se kufirin mes Sirisë dhe Turqisë deri tash e kanë kaluar rreth pesë milionë sirianë.
Në kryeqytetin e Libanit, në Bejrut, shumë punëtorë pa dokumente janë ankuar se janë larguar nga puna në fillim të korrikut. Ky veprim është pjesë e vendimit të ri të qeverisë për t’iu dhënë përparësi punëtorëve libanezë para të huajve, shkruan “The Guardian”.