Kualifikimet për në Kampionatin Botëror “Katar 2022”, Shqipëria do t’i vazhdojë më ndeshjen kundër Polonisë në udhëtim.
Kuqezinjtë ballafaqohen me Poloninë më 2 shtator në stadiumin Narodowy me fillim nga ora 20:45.
Trajneri i Shqipërisë Edi Reja në një konferencë për media para ndeshjes u shpreh i bindur se skuadra që ai drejton do të bëjë paraqitje shumë të mira në këto ndeshje. Ai theksoi se disa lojtarë janë duke e dhënë maksimumin që të rikuperohen dhe të jenë në formë optimale.
“Kemi një listë prej 30 lojtarësh, por kemi probleme me disa të dëmtuar siç janë Dermaku, Veseli dhe Lenjani të cilët duan disa javë të rikuperohen dhe të jenë në formë optimale. Pastaj risia është Ivan Balliu i cili luan në La Liga me Rayo Vallecano, por paraqitet shumë mirë në fillim të sezonit. Mendova ta rikthej në listë por dje folëm në telefon, nuk është mirë fizikisht pasi ka probleme me pubalgjinë dhe ka inflamacion të abduktorëve e për këtë arsye nuk është në kushtet e duhura“, deklaroi Reja.
Më tutje Reja bëri të ditur se është në dyshim paraqitje e mesfushorit Taulant Xhaka në ndeshjen ndaj Polonisë për shkak të problemeve fizike që ka.
“Xhaka kishte pothuajse gjashtë muaj i dëmtuar ndërkohë që tani është rikuperuar. Kam parë që po luante, një pjesë, 75 minuta por edhe ndeshje të plota. Ai thotë se ka akoma probleme në gju, nuk ndihet akoma në gjendje duke parë që ka pak kohë që ka filluar të luajë. Jemi dakorduar që do të flasim nesër për të vendosur nëse do ta grumbullojmë apo jo”, vijoi trajneri.
Poashtu Reja vlerësoi lartë rivalët e Shqipërisë në këtë fazë duke theksuar se ata kanë cilësi të mëdha në përbërjet e tyre, por që u shpreh i bindur se skuadra e tij është e gatshme për të dhënë maksimumin dhe se do japin kënaqësi me lojërat e tyre.
“Unë jam i bindur që ky grup mund të bëjë mirë. Jemi rritur kemi pasur dy eksperienca të rëndësishme në miqësore që kemi luajtur në Uells dhe Çeki…Në kemi qenë kompetitiv me ta. Bëmë paraqitje pozitive. Kam përshtypjen nse jemi duke u rritur. Ky grup është i bindur për cilësitë që ka. Unë edhe në këto dy ndeshje të para pres akoma aspekte pozitive…Unë jam i bindur që do të bëjmë paraqitje shumë të mira. E kemi të qartë se do të luajmë ndaj dy skuadrave të rëndësishme, Hungaria dhe mbi të gjitha Polonia që kanë treguar se janë përpara në aspektin e cilësisë por as ne nuk jemi më pak. Unë jam i bindur që kjo është një skuadër që mund të na dhurojë kënaqësi të mëdha. E kemi të qartë se për ta arritur këtë, të gjithë lojtarët duhet të jenë në gjendje maksimal.”, tha në fund Reja.
Përveç Polonisë, Shqipëria do të përballet edhe me Hungarinë më 5 shtator dhe me San Marinon më 8 shtator.
Pas tri ndeshjeve të para në grup, Shqipëria tubon gjashtë pikë në vendin e tretë. Ka mposhtur San Marinon dhe Andorran, ndërsa ka pësuar humbje nga Anglia.