Seleksionuesi i Shqipërisë, Edoardo Reja, ka thënë se ndeshja e nesërme kundër Bjellorusisë në Ligën e Kombeve, është një finale. Por, ai është optimist se futbollistët do të tregojnë një ndeshje të mirë.
Ndeshja mes Shqipërisë e Bjellorusisë luhet nesër në “Air Albania” me fillim nga ora 16:00.
Shqipërisë i duhet fitorja për të përfunduar në vendin e parë në Grupin 4 të Ligës C dhe për t’u ngjitur në Ligën B.
Në mesfushë Shqipëria nuk do ta ketë mesfushorin Armir Abrashi, që është i suspenduar. Nëse përfundon e para në grup Shqipëria arkëton më shumë se 1 milion euro.
“Në çdo ndeshje ishim të detyruar të ndryshonim formacionin. Kishim mundësi të fitonim ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë në transfertë për kjo nuk ndodhi. Kemi shanse për të arritur vendin e parë nëse mundim Bjellorusinë. Të përpiqemi të eliminojmë çdo gabim të mundshëm në këtë fazë. Është një finale dhe presioni është pjesë e futbollit. I bindur që do të bëjmë një ndeshje të mirë”, ka thënë Reja në konferencë për media.
Për sulmin, trajneri Reja ka lënë të kuptojë se çelësat e repartit ofensiv, do t’ia lërë atyre që shkëlqyen në suksesin e fundit në Air Albania Stadium.
“Sulmi mund të jetë i njëjtë si ai në ndeshjen ndaj Kazakistanit. Cikalleshi dhe Balaj janë alternativa, njësoj si Manaj dhe Seferi. Kam provuar edhe Cikalleshin dhe Balajn, por janë lojtar të ngjashëm. Preferoj një që të sulmojë portën dhe tjetri të tërhiqet”.