Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja ka thënë se ekipi i tij do ta sfidojë taktikisht Hungarinë, ekip që luan në shtëpi dhe ka përparësi.
Reja ka thënë se pret që Hungaria të sulmojë prej fillimit dhe nuk beson se do të fokusohet në kundërsulme.
“Sigurisht, se Hungaria do të jetë ndryshe nga ndeshje e parë pasi luan në shtëpi. Duke e njohur trajnerin e saj që është italian, kam përshtypjen se si do të luajnë. Nuk do të fokusohen në kundërsulme por do të sulmojnë nga fillimi. Ne do të jemi gati për këtë dhe do ti sfidojmë në aspektin taktik. Do të mundohemi të gjejmë mënyrat tona për ta goditur kundërshtarin. Ne do të shfrytëzojmë në maksimum rastet që do të na jepen”, ka thënë Reja.
“Sa i përket formacionit nuk kam vendosur akoma dhe do të presim deri në ditën e ndeshjes”, ka shtuar ai.
Sipas Rejas ndeshja më e vështirë e këtij muaji, do të jetë kjo me Hungarinë që zhvillohet të shtunën në Budapest prej orës 20:45.
“Sigurisht, që me Hungarinë është më e rëndësishme. Është ndeshje vendimtare, shpresoj të kemi paraqitje të mirë dhe të marrim rezultat pozitiv. Pas Hungarisë, pastaj do të fokusohemi te Polonia”, ka thënë Reja.
“Të dy ekipet janë të organizuara në aspektin mbrojtës. Ekipi që shënon i pari, do të mbrohet më mirë. Mbase ndeshje mund të vendoset nga një gol. Shpresoj që në fund të jemi ne që do ta shënojmë golin dhe ta fitojmë ndeshjen”, është shprehur ai.

