Pas 30 viteve, për herë të parë partitë shqiptare e kundërshtojnë kandidatin presidencial shqiptar, ka deklaruar kandidati Blerim Reka, para banorëve të Sarajit.
I shoqëruar nga Ziadin Sela dhe Bilall Kasami, Reka ka thënë se falë politikës aktuale të shtetit, vendi do të mbetet i zbrazur ndërsa foli edhe për përfaqësimin e shqiptarëve në institucione që është në gjendje të mjerueshme. Ai ka thënë se pika kryesore e platformës së tij është “shteti i së drejtës kundër shtetit privat”.
“A e dini në politikën e jashtme sa ambasador shqiptar ka aktualisht Maqedonia? Një, vetëm një në Bernë. Ja ku kemi degraduar si shtet mono-etnik. A e dini sa shqiptar ka në ‘njësinë e ujqërve’? Zero. Kjo pra është pasqyrë e vërtetë e Maqedonisë e cila thotë se ne jemi të gatshëm për Evropë. Jo jo kështu nuk hyhet në Evropë. Kështu nuk hyhet në Evropë, sepse me pazaret që bëjnë për ta shpëtuar kokën nga burgu, ata duan ta shuajnë edhe prokurorinë speciale”, deklaroi Blerim Reka, kandidat për president.