Kosova
REL: Si është të jesh shqiptar në Serbi?
Me thirrjet “Për identitet dhe dinjitet”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo”, “Stop pasivizimit selektiv” dhe “Duam libra shqip”, shqiptarët e Luginës së Preshevës po kërkojnë trajtim të barabartë në Serbi, dhe zotohen se do t’i vazhdojnë protestat.
Çfarë të drejtash kanë shqiptarët në këtë pjesë të Serbisë?
Dy herë, në më pak se dy muaj, shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë ngritur zërin kundër diskriminimit që ata thonë se e përjetojnë çdo ditë në Serbi.
Përgjigjja e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për protestat e tyre?
“Askush nuk po i rrah, nuk po i ngacmon, apo diçka tjetër. Serbia është shtet demokratik dhe ne do të vazhdojmë të sillemi në këtë mënyrë”.
Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.
Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.
Në Kuvendin e Serbisë, shqiptarët kanë vetëm një zë: deputetin Shaip Kamberi.
Në protestat e mbajtura, fillimisht në Bujanoc, e më pas në Preshevë, u bë thirrje për njohje të diplomave të Kosovës, për integrim nëpër institucionet shtetërore të Serbisë, për lejim të përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare dhe për zgjidhjen e çështjes së pasivizimit të adresave.
Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.
Pasivizimi i adresës përcaktohet me ligj në Serbi prej vitit 2011. Ligji parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.
Nëse vërtetohet që një banor nuk jeton në atë adresë, merret vendimi për pasivizimin e saj, dhe banori obligohet që të regjistrojë adresën e re brenda tetë ditëve, pas pranimit të vendimit.
Ndonëse ligji parasheh të drejtën për apel, qytetarët kanë thënë se, në disa raste, as nuk kanë mundur të ankohen ndaj vendimit, pasi nuk janë informuar me kohë për pasivizimin.
Kjo çështje është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.
Në të është thënë se pasivizimi i adresave duket se është kryer në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve, sidomos në Medvegjë.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar – organ përfaqësues i shqiptarëve në Serbi – ka thënë pas protestës së 23 shtatorit se diskriminimi i shqiptarëve “ka prekur kufijtë e racizmit”.
Sipas Nevzad Lutfiut, “nuk ka familje shqiptare, e cila nuk është prekur në ndonjë formë diskriminimi – e drejta është në anën tonë, dhe ne nuk do të heshtim derisa kërkesat të realizohen”.
Dhjetëra shqiptarë të Luginës kanë folur ndër vite për Radion Evropa e Lirë për mungesën e perspektivës në këtë rajon. Disa prej tyre paguhen sikurse të kenë shkollim të mesëm, meqë diplomat e lëshuara prej institucioneve të Kosovës nuk u janë njohur kurrë.
Çështja e diplomave është rregulluar me disa marrëveshje të arritura në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe me një marrëveshje mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit. Kosova i ka respektuar këto marrëveshje.
Radio Evropa e Lirë ka biseduar në të kaluarën me disa serbë, të cilëve u janë pranuar në Kosovë diplomat e lëshuara nga Serbia dhe që kanë arritur të punësohen.
Banorët e Luginës dhe udhëheqës të komunave atje kanë kërkuar disa herë që të ketë prani të mekanizmave ndërkombëtarë, në mënyrë që të monitorohen kushtet e jetesës në atë pjesë.
Ata kanë akuzuar përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar në Beograd për mosreagim ndaj trajtimit që u bëhet.
Në raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Serbi, të vitit 2021, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përshkruhen si pengje të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas raportit, çështja e pasivizimit të adresave “në thelb është formë e spastrimit etnik nëpërmjet metodave administrative”.
“Shqiptarët e kanë shfaqur dëshirën për integrim, mirëpo Beogradi nuk ka treguar vullnet politik. Ndonëse nuk ka tension mes qytetarëve, vërehet rritja e mosbesimit ndaj institucioneve”, përmendet mes tjerash në raport.
Përfaqësuesit e Luginës dhe shteti serb kanë arritur tri marrëveshje – më 2001, 2007 dhe 2013 – që parashohin mbrojtjen e të drejtave dhe integrimin e pakicës shqiptare, por nuk janë bërë lëvizje në zbatimin e tyre.
Në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian për Serbinë, për vitin 2023, është vlerësuar që “me gjithë detyrimin ligjor për ta marrë parasysh përbërjen etnike të popullsisë, pakicat kombëtare janë ende të nënpërfaqësuara në administratën shtetërore”.
Integrimi i shqiptarëve në institucione është pjesë e obligimeve të Serbisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë pas protestës së mbajtur në gusht se shqiptarët po përballen me situatë të papranueshme, dhe se mbetet i përkushtuar për të ngritur zërin për shqetësimet e tyre.
Në nëntor të vitit 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se ndihma e shtetit për Luginën e Preshevës këtë vit do të jetë 3 milionë euro, një milion më shumë se në periudhën paraprake.
Ditë më parë, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për ndarje fondesh për sigurim të teksteve mësimore shqip për 3.708 nxënës shqiptarë të Luginës.
Megjithatë, mungesa e investimeve dhe barrierat e vazhdueshme besohet se kanë ndikuar në largimin e rreth 20.000 shqiptarëve prej këtij rajoni, kryesisht drejt shtetit të Kosovës./REL
Kosova
Gjenden të vdekur dy persona në një vilë në Pejë
Dy persona, një burrë dhe një grua, janë gjetur pa shenja jete në një vilë në Pejë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Policia dhe Prokuroria në këtë komunë.
Policia është njoftuar për rastin rreth orës 15:10, tha zëdhënësi i këtij institucioni në Pejë, Fadil Gashi.
“Rreth orës 15:10 policia është informuar se në rrugën e KFOR-it se dyshohet se dy persona në një vilë janë pa shenja jete. Policia dhe ekipi i emergjencës ka dal në vendin e ngjarjes, ku vdekja e dy personave është konstatuar nga mjeku kujdestar. Viktimat janë njëri i gjinisë mashkullore dhe tjetra e gjinisë femërore”, u shpreh ai.
Ndërkaq, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se në vendngjarje ka dalë prokurorja për krime të rënda dhe kryeprokurori, ndërkaq trupat e pajetë do të tërhiqen nga vendi i ngjarjes për t’iu nënshtruar autopsisë, me qëllim që të përcaktohen shkaqet e vdekjes.
“Lidhur me këtë çështje janë siguruar prova në vendin e ngjarjes të cilat do të shërbejnë për veprimet e mëtejme. Janë identifikuar dëshmitarët, të cilët mund të intervistohen për të kuptuar më shumë informata rreth ngjarjes”, u shpreh ai.
Mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se viktimat ishin në të 20-tat. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë ndarë me publikun detaje të tjera për këtë ngjarje.
Kosova
Tragjedi në Prizren, humb jetën një fëmijë njëvjeçar si pasojë e zjarrit
Një zjarr i madh ka shpërthyer sot në një shtëpi banimi pranë Shtëpisë së Kulturës në Prizren, ku si pasojë ka humbur jetën një fëmijë njëvjeçar.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe aktualisht po marrin trajtim mjekësor.
“Sot, më 30 dhjetor 2025, rreth orës 10:00, është raportuar një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të Prizrenit. Një fëmijë rreth 1 vjeç ka humbur jetën, dyshohet si pasojë e thithjes së tymit. Tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe po marrin trajtim në Emergjencë,” tha Bytyqi për Telegrafin.
Ai bëri të ditur se njësitë emergjente kanë reaguar menjëherë dhe zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht. Ekipet përkatëse vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes.
Bytyqi theksoi se shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore.
Kosova
“Tageszeitung” e Berlinit: “Shumë njerëz në mbarë Evropën Juglindore dëshirojnë personalitete si Kurti si politikanë në vendet e tyre”
Nuk kanë kaluar as pak muaj që kur Albin Kurti vizitoi Sarajevën, kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës.
Kryeministri i Kosovës mori duartrokitje të stuhishme nga politikanë e publicistë, nga antifashistë e punëtorë ndërtimi, nga gra e burra që ndodheshin rastësisht në atë ndërtesë. Kurti ka karizëm dhe është i besueshëm. Këtë e ndjenë njerëzit në sallë atëherë, dhe këtë e treguan edhe të dielën, kur Kosova e rizgjodhi Kurtin me 50 për qind të votave.
Gjithkush në atë sallë në Sarajevë e dinte se Albin Kurti, që kur ishte student në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, ishte pjesë e rezistencës me mjete paqësore kundër pushtimit serb; se ai dergjej në burgjet serbe që nga viti 1998 dhe se më në fund, në vitin 2000, pas luftës së Kosovës, mundi të kthehej në atdheun e tij. Serbët, deri para pak kohësh, donin të pengonin çdo kontakt mes shoqërisë boshnjake dhe asaj kosovare. Të dyja shoqëritë pësuan më së shumti gjatë luftërave të Jugosllavisë (1991-2001) nga sulmet e forcave ushtarake serbe; miliona njerëz u dëbuan atëherë dhe dhjetëra mijëra u vranë. Ky fat i bashkon ata.
Njësoj i bashkon edhe vetëdija se shoqëritë e përcaktuara mbi baza etnike çojnë vetëm në konflikte të mëtejshme. Bosnja, para 30 vitesh, u nda në zona etnike me ndihmën e rusëve, SHBA-së dhe gjithashtu Evropës; këtë gjë Kurti dëshiron ta shmangë me çdo kusht në Kosovë. Ai angazhohet për një shoqëri multietnike, duke qëndruar kështu pas kushtetutës së vendosur nga OKB-ja. Të drejtat e pakicave janë të garantuara, siç e dëshmojnë enklava e Graçanicës dhe zona të tjera. Por Serbia kërkon të imponojë ndarjen etnike në Kosovë dhe kështu provokon vazhdimisht konflikte, të cilat pastaj i faturohen Kurtit.
Por njerëzit në Kosovë i besojnë atij dhe qeverisë së tij; Kurti nuk është një „nacionalist i majtë“. Nuk është për t’u habitur që shumë njerëz në mbarë Evropën Juglindore dëshirojnë personalitete si Kurti si politikanë në vendet e tyre. /REL
-
UK2 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania4 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports2 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK4 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania2 days agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania11 hours agoIronia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …
-
Kosova1 day agoKëta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
