Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është duke mbajtur një konferencë për media në Bruksel, ku pak çaste më herët është mbajtur seanca e ambasadorëve të Aleancës Veri-Atlantike, për të diskutuar për rënien e raketave në Poloni.
Ai tha se po vazhdojnë hetimet për raketat që kanë rënë në Poloni, por deri më tani nuk “ka indikacione se ishte një sulm i qëllimshëm”.
“Analizat tona preliminare tregojnë se incidenti ishte shkaktuar nga mbrojtja kundërajrore ukrainase, që kishin për cak rrëzimin e një rakete ruse”, shtoi Stoltenberg.
“Më lejoni të jem i qartë, kjo nuk ndodhi për fajin e Ukrainës. Rusia bartë përgjegjësinë finale pasi po vazhdon me luftën e saj ilegale kundër Ukrainës”, shtoi kreu i Aleancës më të fuqishme ushtarake.
Vendet anëtare të Aleancës i shprehin ngushëllimet familjeve të viktimave të këtij incidenti – duke theksuar se solidarizohen me popullin polak.