Reperi i njohur britanik Stormzy dhe miku i tij futbollist, Wilfred Zaha kanë bashkuar forcat për të blerë një klub futbolli që militon në ligën e 9-të të futbollit anglez.
Croydon Athletic është klubi që tashmë zotërohet nga një konsorcium ku bëjnë pjesë Stormzy dhe sulmuesi në largim i Crystal Palace.
Njoftimi nga klubi i Londrës jugore zbuloi se lëvizja për të fituar asetet e klubit ishte përgatitur prej shumë muajsh.
“Ne jemi të lumtur të fillojmë një epokë të re për AFC Croydon Athletic, subjekt i miratimit përfundimtar të FA dhe ligës së futbollit. Ky ka qenë kulmi i shumë muajsh diskutimesh. Konsorciumi do të zotërojë, operojë dhe zhvillojë klubin e e futbollit në vendlindjen e fëmijërisë. Ndërsa përfundimi i nënshtrohet procedurave legjislative dhe qeverisëse, tre anëtarët e konsorciumit janë të ngazëllyer për zhvillimin e një aseti të komunitetit në bashkinë që u dha atyre mundësitë e tyre. Ata shpresojnë të kenë mbështetjen e të gjithë komunitetit në këtë udhëtim emocionues”, thuhet në njoftimin e klubit.
Mësohet se dyshes Zaha-Stormzy i është bashkuar edhe ish-menaxheri i veshjeve të Crystal Palace, Danny Young.
Klubi i krijuar në 2012 luan në nivelin e 9-të të futbollit anglez dhe luajnë ndeshjet e shtëpisë në stadiumin Maryfield me kapacitet 3,000 vende.
Sa i përket pronarëve të tyre të rinj, Stormzy ka lindur në Croydon. Në vitin 2020 ai dhuroi 500,000 £ për të financuar bursa arsimore për studentë me prejardhje nga kjo lagje, përmes Fondacionit të tij Merky.
Edhe ish-ylli i Mançester Junajtid Zaha ka qenë në akademinë e Palace që kur ishte 12 vjeç dhe vjen nga lagjia Croydon.