ALB UK News

Menu
  • Home
  • Albania
  • Kosova
  • UK
  • Kina
  • Diaspora
  • Bota
  • Maqedonia
  • Sports
  • Show – Biz
    • Kulture
    • Technologji
    • Opinion
    • Shendetesi
    • Shqiperia
    • Popular
  • ALBUK.TV
  • Kontakto
    • Live TV & Studio Kontakt
    • Termat dhe Kushtet
    • Terms and Condition
  TRENDING
Putin thirrje Sllovakisë: Vendosni bllokadën energjetike në Ukrainë 4 hours ago
Kurti paraqitet në Gjykatë për rastin e kërcënimit nga rrjetet sociale, dy të akuzuar për kanosje 5 hours ago
SHBA revokoi vizat ndaj zyrtarëve palestinezë në OKB, Macron: E papranueshme 5 hours ago
US Open/ Novak Djokovic mund Taylor Fritz dhe përgatitet për një gjysmëfinale të gjatë me Carlos Alcaraz 5 hours ago
Grossi: Në Siri kemi gjetur gjurmë të uraniumit, pjesë e një programi bërthamor   5 hours ago
Next
Prev
Home Albania

Reportazh/ Vunoi “parajsa” e pushtuar me hekur e beton nga ‘strategjikët’

albnews by albnews
3 September, 2025
in Albania, Kulture
0
Reportazh/ Vunoi “parajsa” e pushtuar me hekur e beton nga ‘strategjikët’
  • Facebook
  • Share on X
  • LinkedIn
  • WhatsApp
  • Email
  • Copy Link

nga Armand Maho

Kënga e gjinkallave në oborrin e kishës së Shën Spiridonit në Vuno paralajmëron një ditë tjetër të nxehtë e ‘të çmendur’. Kalldrëmi përpara saj dhe drita që feks mbi të, sikur e shtojnë më shumë zagushinë. Jemi në mes të gushtit dhe hija e një ulliri shekullor duket si shpëtimi i vetëm nga ky i nxehtë përvëlues.

RelatedPosts

Politico: Shqipëria humbet shkëlqimin e saj si një perlë e fshehur

Zbulimi i Varrit Monumental në Bulqizë, Tare: Fondet për trashëgimi shkojnë tek burokracia dhe projekte të dyshimta

Burimin e Tragjasit do ua japë “strategjikëve”/ Rama: Uji nuk është i tyre, në Shqipëri s’ka oligarkë

Kisha e Shën Spiridonit shtrihet në këmbët e fshatit dhe prej aty, si në pëllëmbë, mund të shohësh të gjitha shtëpitë që janë ngjitur pas malit Mjegullosh. Banorët duken sikur kanë zët nga gazetarët. Ata nuk preferojnë të flasin për atë që po u ndodh tokave dhe shtëpive të tyre.

Megjithëse i kanë të trashëguara brez pas brezi që prej kohësh të lashta, shumica ende nuk zotërojnë asnjë certifikatë pronësie. Kjo do të thotë se shteti e ka derën e hapur për t’ua prishur në çdo moment. Dhe jo vetëm kaq: në vitin 2015, Rama gjithë fshatin e shpalli “Monument Kulture”, duke ndaluar edhe restaurimet e shtëpive.

Më fatlumët janë ata që kanë marrë tokat me “ligjin 7501”, por sërish s’mund të bëjnë asgjë, pasi pasaporta e tokës nuk ka kaluar nga bujqësore në urbane, pra nuk i është nënshtruar planit urbanistik, me përjashtim të zonave ku ndërtohen resorte në Jalë.

Reportazh/ Vunoi “parajsa” e pushtuar me hekur e beton nga

Vilat e Nushit larte ne koder ne vitin 2017 (foto nga Kisha e Shen Spiridonit)

Reportazh/ Vunoi “parajsa” e pushtuar me hekur e beton nga

Vilat e Nushit ne 2025 (foto nga Kisha e Shen Spiridonit)

Zbrazëtinë e oborrit të kishës e thyente disi prania e një burri të moshuar, i ulur nën hijen e ullirit. Kutia e duhanit pranë tij dukej e vjetër dhe ngjyra e inoksit të dikurshëm ia kishte lënë vendin një grije të errët, të zverdhur nga koha.

“Vazhdon ta pish, xhaxha?”.

“Epo, veset për të gjallët janë. Të vdekurit gurin e varrit kanë”.

Duke e shtyrë më tej bisedën, na tregon se është i datëlindjes 1934.

“Për mrekulli qenke, po ç’ke dalë në këtë vapë?”.

“Epo, Perëndia e di vetë kur do më mbyllë. Deri atëherë, do dal”.

Ishte një rastësi fatlume ky takim me njeriun, i cili kishte një arsye të fortë pse nuk donte t’i publikohej emri, sapo mësoi pse kishim ardhur.

“Unë jetoj në shtëpinë ku ka jetuar im atë, gjyshi e stërgjyshi, dhe sot banon djali im me fëmijët. Por s’është çudi që, po e mori vesh ai i paudhi i Kolekajve që kemi folur me ju, të na e shembë dhe të na nxjerrë në mes të katër rrugëve. Veç shpirtit, atë shtëpi kemi,” – na përgjigjet plaku.

Reportazh/ Vunoi “parajsa” e pushtuar me hekur e beton nga

Pamje nga fshati Vuno

Më tej, biseda vijon me historinë e Vunoit. Ai na tregon se Vunoi ka qenë përgjithësisht fshat i varfër, pasi toka ka munguar gjithmonë. Para komunizmit, aktivitetet kryesore ishin emigrimi, ullinjtë, bagëtitë dhe tregtia e qitrove që bëhej me Korfuzin. Ajo pak kontrabandë mallrash që bëhej në Jalë apo Gjipe ishte e papërfillshme për rreth 600 shtëpitë që kishte fshati në atë kohë.

“Toka motit ka qenë pronë e Turqisë, që kur himariotët dhe fshatrat përreth nuk pranuan të regjistronin tokat në vitin 1488 dhe të dërgonin jeniçerë pranë Portës së Lartë. Atëherë u vendos edhe taksa e përbashkët që quhej ‘venom’. Natyrisht kishte fise si Ndrenikët, Kasnecët, Balajt, Konomët apo të tjerë, që punonin më shumë sipërfaqe me ullinj, por edhe taksat në fund i kishin më të larta. Sa për kullotat, ato ishin të përbashkëta dhe ose menaxhoheshin nga fshatrat ose ishin të kishës, që merreshin me qira nga ipeshkvia me qendër në Gjirokastër. Pronarë Vunoi s’ka pasur kurrë në mot të motëve; punë tjetër se tashmë kanë dalë disa që pretendojnë se kanë qenë pronarë. Këtu pronarë kanë qenë vetëm dy: Sulltani dhe Kisha. Të tjerët ishin si të thuash qiramarrës.”

Prej aty ku ndodheshim, në pjesën e sipërme të fshatit, në veri binin në sy disa ndërtime të reja.

“Janë të Vilma Nushit, vetëm ajo ka ndërtuar në fshat,” – na thotë plaku.

“Tokat e veta janë?” – e pyesim.

Ai ngriti supet: “Ajo tokë mot e jetë ka qenë kullotë e fshatit. Nga dolën pronarë Nushët, unë nuk e di. Ata kanë ikur që para lufte nga fshati. Pastaj, Nushët s’kanë qenë ndonjë fis i pasur, kanë qenë të tretët apo të katërtët. Më shumë ishin hyzmeqarë. U lidhën me luftën dhe komunistët, me sa duket, i bënë agallarë.”

Vilat e Nushit bien në kontrast të thellë me shtëpitë e vjetra të Vunoit, shumë prej të cilave janë lënë pas dore për shkak të ligjeve absurde të qeverisë. Megjithëse të ndërtuara me gur, vilat duken si godina luksoze, me pishina dhe komoditete të tjera. Madje për të shkuar atje, është ndërtuar edhe një rrugë e veçantë para se të hysh në fshat. Rruga çan pjesën veriore të Mjegulloshit dhe i është vënë emri i një heroi të luftës, me mbiemrin Andoni.

Reportazh/ Vunoi “parajsa” e pushtuar me hekur e beton nga

Vilat e Vilma Nushi-t dhe rruga qe te con atje

Reportazh/ Vunoi “parajsa” e pushtuar me hekur e beton nga

Hoteli i ndertuar ne kompleksin e Nusheve ne Mjegullosh

Jo vetëm kaq, por duket se historia e shtrirë në rreth 20 mijë metra katrorë fsheh paligjshmëri brenda, jo vetëm për tokën ku janë ndërtuar, por edhe sepse ndodhen në zonë të mbrojtur e të pamenaxhuar urbanistikisht.

Toka ku është ndërtuar resorti vijon të gëzojë statusin e kategorisë N.5 ose “Natyror” dhe, sipas hartës së Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, në këtë zonë nuk lejohet asnjë lloj ndërtimi. Pra, në rast se toka nuk kalon në kategorinë A, nuk mund të jepet as leje ndërtimi dhe as të legalizohet.

Emri i Drini Nushit, bashkëshortit të Vilma Nushit, është i 14-ti në listën e vitit 2021, ku u bëhej thirrje banorëve të Vunoit për të aplikuar për marrjen e certifikatës së pronësisë. Në këtë listë ishin edhe pjesëtarë të tjerë të fisit të tij, si dhe anëtarët e familjes Koleka, mes tyre edhe nëna e kryeministrit. Por ndërtimi duhet të ketë filluar rreth vitit 2018, pra para shtatë vjetësh, dhe sot e kësaj dite vijon të ndërtohet. Në total janë 9 objekte: dy hotele dhe shtatë vila, ndërsa sipas gjurmës së rrugës duket se ndërtimi do vijojë edhe në sipërfaqe të tjera që mund të tejkalojnë 40 mijë metra katrorë, sipas matjeve të bëra nga sistemi ASIG.

Reportazh/ Vunoi “parajsa” e pushtuar me hekur e beton nga

Harta e AKPT-s ku tregohet se ndertimi eshte bere ne zone te mbrojtur

“Ca zëra në nisje të kësaj kthese të re thoshin: “Po pse Thethi e jo Jugu, po pse ashtu e jo kështu”, ndërkohë puna për mbrojtjen e vendit nga abuzuesit vazhdon në veri, jug dhe Shqipërinë e Mesme, ku konkretisht në Durrës është vendosur rendi ligjor mbi një territor të marrë peng nga një abuzues, i cili është ndaluar nga Policia e Shtetit dhe i është dorëzuar drejtësisë edhe si ish-drejtues i inspektorëve të Durrësit”.

Ky status i Edi Ramës është shkruar më datë 30 gusht, vetëm një ditë pas shpërthimit me tritol të një resorti të ndërtuar pa leje në Shetaj, fshat në Kepin e Rodonit. Kompleksi i përkiste Ardian Halilit, ish-kryeinspektor i IMT në Bashkinë e Durrësit, gjatë kohës që ky institucion drejtohej nga Vangjush Dako. Ngjashmëria e resortit të Halilit me atë të Nushëve është jo e vogël. Vetëm se statusi i tokës ishte i kategorisë B2 ose tokë bujqësore, ku lejohet vetëm shtimi deri në 50% i ndërtimit ekzistues. Nga ana tjetër, me gjasë ndërtimi është kryer në tokë të regjistruar në hipotekë në bazë të ligjit 7501.

Reportazh/ Vunoi “parajsa” e pushtuar me hekur e beton nga

Reportazh/ Vunoi “parajsa” e pushtuar me hekur e beton nga

Pamje nga shembja e resortit ne Ishem, Durres

Në fakt, edhe aty paligjshmëria është e madhe, pasi mungon menaxhimi urban i zonës dhe toka nuk ka ndryshuar kategori. Kjo, me sa duket, e ka bërë të pamundur edhe legalizimin e godinës. Megjithëse është e vështirë të besohet se Rama nuk ka pasur dijeni për këtë ndërtim, sërish duhet thënë se ka qenë brenda së drejtës ligjore për ta shembur resortin, sidomos kur kjo shkelje ishte bërë nga një individ i cili e kishte për detyrë të mbronte territorin. Natyrisht, sot e kësaj dite, pavarësisht premtimeve të Ramës, ende askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për këtë “mbyllje sysh”.

E njëjta pyetje duhet të shtrohet edhe për Vunoin! Para pak ditësh doli nga burgu ish-kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i cili e mbante këtë post që prej vitit 2011. Goro akuzohej për tjetërsimin e 10 mijë metrave tokë në fshatin Gjilekë në favor të Artan Gaçit, bashkëshorti i ish-ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka. Por duket se mëkatet e Goros janë shumë më të mëdha.

Në Mjegullosh të Vunoit, në një zonë të mbrojtur, për të paktën pesë vite me radhë, gjatë kohës që ishte në krye të Bashkisë, është zhvilluar një ndërtim me origjinë të dyshimtë pronësie dhe, siç u pa, pa lejet përkatëse. Natyrisht, urdhri për të mos ia prishur terezinë zonjës Nushi ka ardhur nga dikush tjetër, por, siç jemi mësuar në këto vite, burgun e bën zbatuesi i urdhrit dhe jo urdhëruesi.

Stafeta e paligjshmërisë tashmë i ka kaluar kryetarit tjetër të Bashkisë, Vangjel Tavo, i cili, me sa duket, nuk guxon të prekë vijën e kuqe siç është rasti i këtij resorti që i bën hije paligjshmërisë në Vuno.

Utërima e betoniereve që vijnë nga Jala është shurdhuese. Kjo mrekulli që Zoti ia fali Vunoit po shkatërrohet nga një tjetër oligark, por këtë herë me firmën e Ramës në emër të “Investitorit Strategjik”, një emërtim i gjetur si justifikim për të përligjur paligjshmërinë.

Reportazh/ Vunoi “parajsa” e pushtuar me hekur e beton nga

Pamje nga ndertimet ne Jale

“Vunoin e shkatërruan! Jam lindur e po vdes në këtë vend, e kam parë të varfër, e kam parë të shkatërruar nga lufta Italo-Greke, por në këtë derexhe s’e kam parë kurrë. Në 1941 shtëpitë vërtet na u dogjën, por ato i ribëmë prapë, me gurë e baltë, siç bëheshin atëherë dhe i kemi sot e kësaj dite. Por malit të gërryer si t’ia bëjmë, po atij betoni që është hedhur aty? Unë jam në të ikur, por atyre që vijnë mbrapa ç’u rrofshin”, thotë burri i mençur me cigaren në dorë që po i mbaron.

Duke ofsharë, ai u ngrit me mundim, duke u mbajtur tek bastuni. Nuk e pranoi ndihmën tonë. “Po kur mos jeni, kush do më ngrejë?”. U largua ngadalë nëpër kalldrëm, nëpër atë rrugë që e kishte bërë për gati një shekull. Pas mbetëm ne me këngën e gjinkallave që sikur ishin çmendur nga vapa dhe uturima që vinte nga betonieret e oligarkut që po ndërtonte në Jalë.

albnews

albnews

Live ALBUK TV

Recent News

Putin thirrje Sllovakisë: Vendosni bllokadën energjetike në Ukrainë

Putin thirrje Sllovakisë: Vendosni bllokadën energjetike në Ukrainë

3 September, 2025
Kurti paraqitet në Gjykatë për rastin e kërcënimit nga rrjetet sociale, dy të akuzuar për kanosje

Kurti paraqitet në Gjykatë për rastin e kërcënimit nga rrjetet sociale, dy të akuzuar për kanosje

3 September, 2025
SHBA revokoi vizat ndaj zyrtarëve palestinezë në OKB, Macron: E papranueshme

SHBA revokoi vizat ndaj zyrtarëve palestinezë në OKB, Macron: E papranueshme

3 September, 2025
US Open/ Novak Djokovic mund Taylor Fritz dhe përgatitet për një gjysmëfinale të gjatë me Carlos Alcaraz

US Open/ Novak Djokovic mund Taylor Fritz dhe përgatitet për një gjysmëfinale të gjatë me Carlos Alcaraz

3 September, 2025
Copyright © 2025 ALB UK News | Powered by ALB UK News
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT
No Result
View All Result