Qeveria çeke ka miratuar planin për blerjen e 44 tankeve Leopard 2A8 të prodhuara në Gjermani për të modernizuar forcat e armatosura.
Ministrja e Mbrojtjes, Jana Chernochova tha se në fazën e parë Republika Çeke do të blejë 44 tanke në vlerë rreth 1.4 miliardë euro. Ato do të dorëzohen në periudhën nga viti 2028-2031.
Ky veprim vjen vetëm disa muaj pasi Republika Çeke, vend anëtar i NATO-s njoftoi se shpenzimet e tij ushtarake do të rriten në 3% të PBB-së deri në fund të dekadës.
Praga ka rënë dakord për një opsion për të blerë 14 tanke të tjera të tilla, dhe porosia do të konfirmohet në javët e ardhshme.
“Tanket janë një pjesë thelbësore e një brigade të rëndë”, tha Chernochova.
Çekia po porosit veçmas 19 versione të specializuara të 2A8, duke e çuar totalin në 77.
Vitin e kaluar, ajo miratoi blerjen e tankeve të vjetra Leopard 2A4 dhe mori tanke shtesë si pjesë e një marrëveshjeje në të cilën Gjermania kompensoi për tanket që Praga i dërgoi Ukrainës.
Chernochova njoftoi sot se ministria e Mbrojtjes po vazhdon me planin e saj për të blerë armë të vogla nga prodhuesi vendas Çeska Zbrojovka.
Shpenzimet e reja ushtarake vijnë ndërsa Praga kërkon të zëvendësojë makineritë e vjetra që i furnizoi Ukrainës pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Shumë anëtarë të tjerë të NATO-s kanë premtuar gjithashtu të rrisin ndjeshëm investimet e tyre ushtarake, pas presionit nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili akuzoi vendet evropiane se nuk po paguajnë pjesën e tyre të drejtë për sigurinë kolektive të aleancës.