Dy ditë para finales së Kupës së Botës, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, njoftoi ndryshimet e mëdha në formatin e një tjetër Botërori, atë të klubeve. Formati i ri, që sipas Infantinos do të bëjë që ky kompeticion të rivalizojë edhe Champions League, do të nisë të zbatohet nga viti 2025 dhe në të do të përfshihen 32 skuadrat më të mira në gjithë botën.
Formati aktual prfshin vetëm shtatë ekipe, fituesit Champions League, Kupës Libertadores, dhe trofeve kontinentalë në Afrikë, Azi, Amerikën Qendrore dhe Karaibe, Oqeani dhe skuadra kampione e vendit organizator.
“Ashtu edhe siç ju kujtohet, ne ramë dakord para disa vitesh që të kemi një format të ri të Kupës së Botës për klube me 24 skuadra. Duhet të niste në vitin 2021, por u pezullua për shkak të Covid-19”, tha Infantino.
“Botërori i ri i klubeve do të fillojë nga viti 2025 dhe do të përfshijë 32 skuadra. Skuadrat më të mira në botë. Sigurisht, detajet e saj duhet ende të diskutohen, të vendosen dhe të miratohen. Por turneu me 32 skuadra do të fillojë”,
Infantino deklaroi se Maroku është zgjedhur si vendi organizator i Botërorit të ardhshëm për klube. Gjithashtu italiani shtoi se do të zhvillohet edhe një Botëror për klube të futbollit të femrave, por nuk dha data dhe detaje për këtë.