Shërbimi i Kadastrës, do t’i nënshtrohet një ristrukturimi të plotë, sa i takon shërbimeve që u ofrohen qytetarëve.
Milva Ekonomi, Ministre e Shtetit për Standartet e Shërbimeve, në një intervistë për RTSH-në, thotë se ka nisur puna për të lehtësuar shërbimet online që u ofrohen qytetarëve, veçanërisht për pronën dhe tokën.
“Ka qenë në vëmendje kryesore të kryeministrit kohët e fundit, gjithë marrëdhënie e qytetarëve me pronën, sidomos me tokën, kështu që ajo që do të rregullohet është Kadastra“, theksoi ministrja.
Pak kohë më parë, Parlamenti miratoi ligjin për qeverisjen digjitale, një unifikim i të gjithë legjislacionit që rregullon ndërveprimin e 58 regjistrave të shërbimeve.
Po ashtu Parlamenti miratoi edhe një kredi të Bankës Botërore me vlerë 60 milion euro, e cila do të përdoret nga AKSHI për përditësimin e sistemeve digjitale, mbrojtjen e të dhënave personale dhe mbrojtjen nga inteligjenca artificiale.
Shqipëria konsiderohet se ka kryer që prej vitit 2013 një revolucion në shërbimet digjitale, duke integruar online 58 data-baza me rreth 145 milion transaksione, duke u renditur e 8 në europë dhe e 19 në rang botëror, për qeverisjen digjitale.