Brazili nuk arriti t’i përmbushte pritjet pasi favoritët e Kampionatit Botëror u eliminuan nga turneu duke humbur me penallti ndaj Kroacisë në çerekfinale.
Hera e fundit që Selecao arritën të fitonin trofeun, ishte në vitin 2002 – kur ata mundën Gjermaninë në finale për të fituar Kupën e tyre të pestë të Botës.
Pas turneut të tyre të fundit zhgënjyes, priten disa ndryshime për sa i përket stafit trajner dhe skuadrës.
Kush do të jetë zëvendësuesi i Tites?
Siç u njoftua në një intervistë në shkurt, Tite nuk do të qëndrojë në ekip.
Në nëntor, megjithatë, nënkryetari i Federatës Braziliane të Futbollit (CBF) Francisco Novelletto theksoi se ai do të përpiqet të bindë Titen të qëndrojë i vendosur në rast se Brazili fiton Kupën e Botës.
Synimi i Tites është të marrë një vit pushimi. Në gjashtë vitet e tij në Selecao, ai regjistroi 60 fitore, 15 barazime dhe vetëm një humbje në 81 ndeshje, në të cilat Brazili shënoi 174 gola dhe pranoi 30.
Trajneri i Brazilit u kritikua ashpër pasi dështoi të fitonte turneun, me djalin e tij Matheus dhe ndihmësin e tij Cleber Xavier që gjithashtu pritej të largoheshin.
Abel Fereira (Palmeiras), Fernando Diniz (Fluminense), Mano Menezes (Internacional) dhe Dorival Junior (aktualisht i lirë) janë emrat si pasardhës të tij të mundshëm.
Ednaldo Rodrigues do marr vendime të mëdha
Presidenti i ri i CBF, Ednaldo Rodrigues tani pritet të marrë vendime të mëdha. Ai po mendon të sjellë Andres Sanchez, i cili mund të zëvendësojë Juninho Paulistan si koordinator të ekipit. Rodrigues do të vendosë gjithashtu për pasardhësin e Tites.
“Do ta diskutojmë pas Kupës së Botës, por nuk kemi paragjykime për kombësinë”, tha ai në një event.
Dy kërkesat për trajnerin e ardhshëm janë të jetë kompetent dhe i etur për të ndërmarrë një projekt afatgjatë.
Ndryshon dhoma e zhveshjes së Brazilit
Lojtarët e rinj si Eder Militao, Lucas Paqueta, Vinicius dhe Richarlison po vendosen, ndërsa Casemiro është ende 30 vjeç.
Megjithatë, e ardhmja e legjendave të Brazilit si Thiago Silva dhe Dani Alves ka përfunduar me këtë Botëror.
I pari pranoi se nuk do të jetë i disponueshëm për Kupën e Botës 2026, por nuk përjashtoi mundësinë e paraqitjes në Kupën e Amerikës së ardhshme.
Ndërkohë, Dani Alves nuk e ka bërë të qartë nëse planifikon të tërhiqet së shpejti.
“E ardhmja ime tani? Të vuaj”, deklaroi ai pas eliminimit.
Brazili është i shqetësuar sepse Neymar gjithashtu raportohet se po mendon të largohet.
“Nëse them se është fundi, do të nxitoja, por as nuk garantoj asgjë”, bëri të ditur ylli i Paris Saint-Germain.
Prandaj, mund të jetë një skuadër braziliane shumë e ndryshme që shkon në Kampionatin Botëror të vitit 2026.