Eliminimi i radhës në Champions, duke konfirmuar se është ende larg të qenit një skuadër dhe nuk mund të rivalizojë emrat e mëdhenj si Bayerni, do të shoqërohet me revolucion te Paris Saint Germain. Klubi i Al Khelaifi është gati të ndryshojë tërësisht ekipin dhe këtë do ta realizojë falë investimit të milionave në merkato.
Objektivi mbetet triumfi në Champions dhe sheikët që zotërojnë klubin nuk do t’i kursejnë paratë. Drejtuesit e ekipit kanë nisur kontaktet me disa futbollistë, për t’i transferuar në kryeqytetin francez prej merkatos së verës.
Përpos Milan Skriniar, i cili do të shkojë në Paris me parametër zero, një objektiv i madh i klubit është Victor Osimhen. Për yllin e Napolit, francezët janë gati të ofrojnë 150 milionë euro. Sulmuesi është nënkontratë deri në vitin 2026, por pengesa kryesore që duhet kaluar është dëshira e lojtarit të luajë në Premier League. Milionat e sheikëve mund të shërbejnë në këtë rast për t’i ndryshuar mendjen.
Revolucioni pritet të nisë nga stoli. Zidane është kandidat për të zëvendësuar trajnerin Galtier. Nga yjet që mund të largohen janë Messi e Sergio Ramos, të cilët nuk kanë rinovuar kontratat, ndërsa në prag lamtumire është edhe Neymar.
Në listën e dëshirave të merkatos janë Pau Torres i Villarreal, mesfushori Ibrahim Sangaré i PSV, Manu Koné nga Borussia Monchengladbach, ylli i Manchester City, Bernardo Silva.
Të tjerë emra janë Goncalo Ramos nga Benfica, por edhe ylli i ri i Lyon dhe futbollit francez, Rayan Cherki. Tetë emra të nivelit të lartë, një përzierje e të rinjve dhe lojtarëve me eksperiencë për të synuar lavdinë në arenën ndërkombëtare.