Parlamenti të enjten do të diskutojë dhe votojë një projekt-rezolutë në mbështetje të çeljes së negociatave BE-Shqipëri.
10 pikat e kësaj projekt-rezolute janë një dakordësi e plotë, me atë çfarë kërkoi parlamenti gjerman që të bëjë Shqipëria. Një ditë më pas nga publikimi i draftit të kësaj projekt-rezolute, gazetari i Top Channel- it, Muhamed Veliu raporton se ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati ka propozuar dhe depozituar paraditen e të martës disa amendamente.
Ai kërkon që “projekt-rezoluta e këtij viti duhet të mbështetet mbi punën e nisur që nga momenti që Komisioni Evropian për herë të parë rekomandoi fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Kjo, pasi procesi i bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian, përveçse sfidues dhe impenjativ, qartësisht kapërcen mandatin e një legjislature. Prandaj, është e domosdoshme hedhja e hapave gradualë që bazohen mbi arritjet e përvitshme”.
Ditmir Bushati gjithashtu propozon që “Kuvendi i Republikës së Shqipërisë angazhohet të bashkëpunojë dhe të nxisë institucionet e tjera përgjegjëse me qëllim ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), brenda vitit 2019.
Amendamentet e Bushatit parashikojnë edhe kohën se kur duhet të përmbyllet reforma zgjedhore.
“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë angazhohet në përfundimin e reformës zgjedhore brenda vitit 2019, në përmbushje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë, të drejtë, të ndershëm dhe demokratik”, shprehet Bushati.
Zoti Bushati nuk lë jashtë amendamenteve edhe përgjegjësinë direkte të qeverisë në këtë proces.
“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë i kërkon Këshillit të Ministrave të konsolidojë ritmin e reformave, veçanërisht me fokus sundimin e së drejtës dhe liritë e të drejtat themelore. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë i kërkon Këshillit të Ministrave që të paraqesë brenda datës 31 Tetorit 2019 planin e punës, metodologjinë, planifikimin e burimeve njerëzore dhe financiare në mbështetje të procesit të bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian”, deklaron ai.
Në këto amendamente, deputeti Bushati thotë se “roli mbikqyrës dhe nxitës i Kuvendit bëhet gjithnjë e më i pazëvendësueshëm, pasi procesi i bisedimeve të anëtarësimit kërkon konsensus mbipartiak që mund të jetësohet në Kuvend”.