Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka falënderuar votuesit dhe gjithë qytetarët e Kosovës pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke e cilësuar pjesëmarrjen si një akt nderimi për demokracinë e vendit.
Në një reagim publik, Abdixhiku shprehu mirënjohjen e tij për aktivistët e LDK-së që punuan me përkushtim dhe theksoi se partia e tij ka ndjekur një rrugë të drejtë dhe me vizion për Republikën.
Në fund, Abdixhiku bëri thirrje për durim deri në numërimin përfundimtar të votave, veçanërisht të atyre të diasporës, duke paralajmëruar se LDK do të dalë me qëndrimin e saj politik pas shpalljes së rezultateve përfundimtare.
Reagimi i plotë:
Të gjithë votuesve tanë, ju faleminderit që mbështetët Lidhjen tonë. Të gjithë qytetarëve të Kosovës, ju faleminderit që nderuat demokracinë e atdheut tonë. Të gjithë veprimtarëve tanë ju faleminderit që punuat me kaq vullnet e me kaq emocion në këto zgjedhje. Asgjë mangut!
Punuam mbarë. Ecëm drejtë. Ecëm si qytetarë me ëndrra të mëdha për këtë Republikë. Shpresoj të ju kem prirë mbarë; shpresoj të ju kem përfaqësuar siç keni merituar gjithnjë! E shoh me plot krenari rrugëtimin e bërë deri më tani. Nuk dijmë ndryshe, nuk duam ndryshe, nuk duhet ndryshe.
Rritja jonë i jep mundësi e qetësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak – dhe për këtë do të qëndroj gjithmonë krenar; por kjo rritje është e pamjaftueshme për ndryshimin e Republikës në këtë fazë – dhe për këtë ndjejë keqardhje. Pavarësisht të gjithave, Do të ketë dritë!
Në këtë fazë, vazhdojmë me numërimin e votave të mbetura; sidomos ato në mërgatë. Pas numërimit përfundimtar, LDK do të ofrojë qëndrimet e veta politike.