Pas një jave me diell, reshjet e dëborës janë rikthyer këtë të mërkurë në disa zona të vendit, duke përfshirë kryesisht veriun dhe juglindjen. Qarku i Dibrës dhe ai i Kukësit po përballen me reshje të dendura bore në lartësitë mbi 600 metra mbi nivelin e detit, duke sjellë vështirësi në qarkullimin rrugor.
Në Dibër, bora ka arritur deri në 15 cm në zonat e thella malore, ndërsa probleme janë raportuar në rrugët rurale dhe në Rrugën e Arbrit, veçanërisht nga Qafa e Buallit drejt Peshkopisë, ku ka prezencë akulli dhe mungesë kripe në disa segmente.
Reshje të konsiderueshme bore janë regjistruar në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës, Selishtë, Zall-Dardhë, Zall-Reç, Sllovë, si edhe në Trebisht, Ostren dhe zonën e Martaneshit.
Edhe Kukësi është “zbardhur” nga bora, me temperatura që kanë zbritur deri në -9°C në zonat malore. Akset rrugore si Kukës–Peshkopi, Kukës–Shishtavec dhe Krumë–Bajram Curri paraqiten problematike për shkak të ngricave.
Prefektura Qarku Korçë informon mbi situatën e furnizimit me energji elektrike dhe gjendjen e akseve rrugore në qark, si më poshtë:
Moti i keq me reshje bore ka prekur edhe juglindjen ku raportohet për rreth 740 familje që kanë mbetur pa energji elektrike në disa zona rurale të Ersekës, Korçës dhe Leskovikut.
Po ashtu në disa akse rrugore që të çojnë drejt fshatrave Dardhë dhe Voskopojë, mjetet e ARRSH janë duke punuar për të kryer zhbllokimin e tyre, pasi bora ka arritur deri në 8 cm.
Situata e energjisë elektrike:
OSSHE – Dispeçeria Rajonale Korçë raporton se aktualisht janë pa energji elektrike këto zona:
Fideri Potgozhan, NST Guri i Kuq pa energji, rreth 500 abonentë ruralë në zonat Trebinjë dhe Bishnicë.
Fideri 8 Rehovë NST Ersekë, pa energji zona Rehovë 40 abonentë.
Fideri Vithkuq NST Rehovë, pa energji zona Mazrekë, 3 abonentë ruralë.
Fideri 9 NST Lozhan pa energji zona Mesmal, 50 abonentë ruralë.
Fideri 4 NST Mollas pa energji zona Pepellash, 5 abonentë ruralë.
Fideri 22 NST Korçë pa energji 3 abonentë privatë dhe antena në Cardhak (Stefani).
Fideri JO6 NST Leskovik, pjesërisht në punë pa energji 2 abonentë në zonën Gërmenj.
Fideri 19 NST Korçë pjesërisht në punë, pa energji zona Dardhë 140 abonentë.
Fideri 3 NST Ersekë pa energji.
Ekipet e OSSHE-së ndodhen në terren dhe po punojnë për normalizimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike.
Situata e akseve rrugore:
Në akset Korçë–Ersekë (K.3) dhe Zëmblak–Goricë–Bilisht–Miras (K.6), gjatë natës ka pasur reshje bore. Po vijon pastrimi dhe kriposja, rekomandohet qarkullimi me goma dimërore.
Në Lotin 7, në akset Libonik–Rëmbec–Plasë dhe Korçë–Voskopojë, reshjet e borës kanë arritur deri në 8 cm, të shoqëruara me erë të fortë. Akset janë pastruar dhe kriposur, qarkullimi vijon normal.
Në segmentet k/Boboshticë–Dardhë dhe k/Lapidari Podgorie–k/Podgorie–Liqenas, reshjet e borës janë të shoqëruara me erë të fortë. Në segmentin e Dardhës, trashësia e borës arrin në disa vende mbi 50 cm. Po punohet për pastrimin dhe kriposjen, këshillohet përdorimi i gomave dimërore dhe zinxhirëve.
Në akset Maliq–Kufi Gramsh dhe Ersekë–Leskovik–Tre Urat, gjatë natës ka pasur reshje bore dhe vijon puna për pastrimin dhe kriposjen.
Ndërkohë Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se të gjitha akset kombëtare janë aktualisht të hapura dhe qarkullimi vijon normalisht, pasi mjetet dhe punëtorët janë në terren për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë gjatë lëvizjes në zonat me dëborë.
Reshje dëbore ka pasur:
Rajoni Verior
Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë, Bujan-Qafe Morinë (doganë), Sopot-Kerrnaj, Qafë Mejdan -Tropojë-Buçaj, Fierzë-Bajram Curri, Bulqizë-Peshkopi, Kukës-Shishtavec, Kukës-Bushtricë, Kukës-Krumë, Bogë-Theth, Dedaj-Razëm. Në Rajonin Qendror Trau Dajt – Qafë Priskë – Qafë Mollë.
Rajoni Jugor
Qafë Thanë-Kapshticë, Qukës-Qafë Plloçë, Maliq–Kufi Gramsh, Korçë-Voskopojë, Boboshticë-Dardhë, Ersekë-Leskovik-Tre Urat dhe në Muzinë.

