Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar për zhvillimet e fundit që lidhen me një rikthim të mundshëm të regjimit të vizave për shqiptarët.
Meta thotë se po vëren me shqetësim të thellë këtë situatë, sidomos pas depozitimit të kërkesës së Holandës për pezullimin e vizave dhe deklaratës së komisionerit Avramopoulos që paralajmëroi së fundi masa kundër Shqipërisë.
“Ndërkohë që e gjithë vëmendja është përqendruar drejt një vendimi të mundshëm pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE, Presidenti vëren me shqetësim të thellë rrezikun e rivendosjes së regjimit të vizave Shengen për Shqipërinë. Pas depozitimit të kërkesës së Holandës për pezullimin e vizave drejtuar Komisionit Europian, njoftimi i djeshëm i Komisionerit për Migrim, Punët e Brendshme dhe Shtetësi, z. Dimitris Avramopoulos që paralajmëronte ndërmarrjen e masave ndaj Shqipërisë, krahas Venezuelës dhe Kolumbisë, është një kambanë alarmi për të gjithë”, thuhet në deklaratën e Metës.
Presidenti u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore përgjegjëse të ndjekin me prioritet absolut këtë çështje në mënyrë që të mos dëmtohet liria e shqiptarëve.
“Lëvizja pa viza ka qenë ndër arritjet më të mëdha me ndikim të drejtpërdrejtë për shqiptarët, si populli që ka vuajtur izolimin më të madh e të gjatë në rajon. Të gjithë i mbajmë mend radhët e gjata përpara dyerve të ambasadave, me familjarë të dëshpëruar në kërkim të një mundësie për të ritakuar fëmijët, të afërmit, apo të mundësisë për të studiuar dhe udhëtuar jashtë vendit, etj. Bëj thirrje, të merren urgjentisht të gjitha masat e nevojshme duke mos neglizhuar apo anashkaluar asnjë përgjegjësi që do të dëmtonte dhe prapësonte këtë liri të fituar të shqiptarëve”, deklaron Meta.
Top Channel