Më pak prishtinas mund ta vizitojnë bregdetin shqiptar sivjet. Kjo meqë kryeqytetasit mund të kalojnë ditët e nxehta të verës në Pishinën e Gërmisë.
Kështu po shpresojnë të ndodhë udhëheqësit e ndërmarrjes “Sport Marketing” që për këtë sezonë filluan përgatitjet në sjelljen e disa risive që po priten për një kohë të gjatë.
Bazamenti i pishinës së Gërmisë po lyhet për herë të parë pas disa viteve. Kjo përveç që do t’i japë vendit pamje më të bukur, do të ofrojë edhe siguri për pushuesit e kësaj vere, njofton Klan Kosova.
Por, investimet nuk ndalen me kaq. Kryeshefi i Ndërmarjes Publike Lokale, “Sport Marketing”, Bardh Krasniqi, tha se do të ketë risi në shtretër, do të rinovohet restauranti ku do të ofrohen meny të ndryshme, me vitamina e fruta.
Por, anash nuk do të lihen as aktivitetet kulturore që sivjet për pushuesit do të jenë të shumta në amfiteatrin e renovuar. Të gjitha këto, qytetarët do të mund t’i shijojnë që nga fundi i muajit qeshor, kur edhe pritet të hapet pishina.