Stephen Colbert, më në fund, bëri një reagim pasi Kate Middleton njoftoi lajmin tragjik të diagnozës së saj të kancerit. Prezantuesi i talk show-t u përball më kritika të forta pasi bëri një shaka mizore për thashethemet e zhdukjes së Princeshës së Uellsit dhe më vonë u zbulua se Kate kishte kancer. Dy javë më parë, në “The Late Show With Stephen Colbert”, ai e lidhi zhdukjen e përfolur të Kate me lidhjen e pretenduar të Princit William me Rose Hanbury.
Menjëherë pasi Kate zbuloi se pse nuk ishte parë në publik, përdoruesit e rrjeteve sociale kërkuan që drejtuesi i emisionit t’i kërkonte falje princeshës. Duke folur rreth reagimit të ashpër gjatë emisionit të së hënës, ai u shpreh:
“Ju e dini, njerëz, nuk e di nëse e keni vënë re, por ne bëjmë shumë shfaqje dhe unë tregoj shumë batuta dhe them barcaleta për shumë gjëra të ndryshme, kryesisht për çfarë po flasin të gjithë. Dhe gjatë gjashtë javëve deri në dy muajt e fundit, të gjithë kanë folur për misterin e zhdukjes së Kate Middleton nga jeta publike. Dhe dy javë më parë, ne bëmë disa shaka për atë mister dhe të gjitha raportimet për këtë. Dhe kur i bëra ato shaka, kjo mërziti disa njerëz – edhe para se të zbulohej diagnoza e saj – dhe unë mund ta kuptoj këtë.
Dua të them, shumë nga shakatë e mia i kanë mërzitur njerëzit në të kaluarën. Dhe jam i sigurt se disa nga shakatë e mia do t’i shqetësojnë njerëzit në të ardhmen. Por ka një standard që unë përpiqem t’i përmbahem. Dhe kjo është, unë nuk minimizoj tragjedinë e dikujt tjetër.”