Skuadra nga Serie A, Roma nuk e ka ndërmend të heq dorë nga transferimi i Granit Xhakës. “The Sun” ka shkruar të martën se Roma po përgatit një ofertë të re për ta bindur Arsenalin në lirimin e Xhakës në fund të këtij edicioni.
Për kartonin e Xhakës, Roma është e gatshme të ofrojë mbi 20 milionë euro pasi mesfushori kosovar po kërkohet me ngulm nga trajneri Jose Mourinho. Tekniku portugez po e sheh Xhakën si një përforcim të rëndësishëm për sezonin e ri dhe për këtë arsye po i bën presion krerëve të Romës që ta transferojnë.
Në fakt, Roma e ka kërkuar Xhakën edhe para fillimit të këtij sezoni dhe gjatë afatit kalimtar të janarit, por Arsenali i refuzoi të gjitha. Madje, thuhej se Xhaka kishte arritur marrëveshje personale me ekipin italian dhe ishte i gatshëm për ta vazhduar karrierën në Itali përpara se Arsenali të bllokonte transferimin e tij. 29-vjeçari ka kontratë deri në vitin 2024 me Arsenalin, ekip të cilit iu bashkua në vitin 2016 nga Borussia Moenchengladbachu për 45 milionë euro. Këtë edicion, Xhaka ka 13 paraqitje në të gjitha garat dhe ka bërë një asistim deri më tani.