Cristiano Ronaldo ka realizuar dy gola për Portugalinë të mërkurën mbrëma duke ia siguruar fitoren ndaj Irlandës me rezultatin 2:1, në kuadër të Grupit A të eliminatoreve për Botërorin 2022.
Me dy golat e shënuar Ronaldo është bërë rekordmen i golave me përfaqësuese. Ai ka realizuar 111 gola me përfaqësuesen e Portugalisë, ndërsa ka thyer rekordin e Ali Daeit që kishte shënuar 109 gola me Iranin.
Ronaldo kishte barazuar rekordin e Daeit gjatë Evropianit këtë verë.
Portugalia ishte në disavantazh kundër Irlandës që nga minuta e 45-të, kur realizoi John Egan.
Por, Ronaldo në momentet e fundit arriti t’ia sigurojë tri pikë. Realizoi në minutën e 89-të dhe 96-të. Ronaldo humbi një penallti në pjesën e parë.
“Jam shumë i lumtur, jo vetëm që kam thyer rekordin, por për këtë moment të veçantë që patëm. Dy gola në fund të ndeshjes. Duhet të vlerësojë atë që ka bërë skuadra, ne kemi besuar deri në fund. Jam shumë i lumtur”, ka thënë Ronaldo për “RTE”.
Ronaldo të martën ka finalizuar transferimin te Manchester Unitedi nga Juventusi.
Ronaldo është rekordmen i golave nëpër evropiane me 14 gola, dhe në evropiane e botërore së bashku me 21 gola.
Ylli portugez po ashtu ka barazuar rekordin e Sergio Ramosit për më së tepërmi ndeshje të luajtura për një përfaqësuese evropiane. Për Ronaldon ishte ndeshja e 180-të me Portugalinë. Rekordin, që është konfirmuar nga FIFA këtë verë, e mban Sol Chin Ann i Malajzisë, që ka luajtur 195 ndeshje nga viti 1969 deri në vitin 1984.
Në ndeshjen tjetër të Grupit A, Luksemburgu triumfoi 2:1 ndaj Azerbajxhanit.