Kapiteni i Kosovës në futboll, Amir Rrahmani, dëshiron që të përshëndetet nga Hellas Verona në mënyrën më të mirë, duke e kualifikuar në Ligën e Evropës.
Rrahmani edicionin e ardhshëm do të jetë pjesë e Napolit. Napoli ka paguar 14 milionë euro për transferimin e tij.
“I kemi bërë testet sot. Që nga e hëna kemi jetuar paksa si më përpara. Po provoj të stërvitem. E dimë të gjithë se është krejtësisht ndryshe se stërvitjet me ekip. Është shumë e vështirë, nuk ka motivim. Nëse rikthehemi, dëshirojmë që të mbledhim sa më shumë pikë dhe të provojmë të shkojmë në Evropë. Gjëja më e rëndësishme është që të japim më të mirën”, tha Rrahmani në Instagram. Verona ishte në vendin e tetë në Serie A para pushimit të detyruar dhe humbi 2:1 nga Sampdoria në ndeshjen e fundit.
Verona është katër pikë prapa Napolit që mban vendin e fundit që dërgon në kupat evropiane stinorin e ardhshëm, por ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.