Antonio Guastalegname, i penduari i mafies kalabreze Ndrangheta, ka rrëfyer emra e ngjarje mbi rrjetin e trafikut të drogës nga Brazili e Shqipëria drejt Italisë, teksa përmend edhe zyrtarë të lartë shqiptarë.
54-vjeçari, i arrestuar në kuadër të megaporcesit të emërtuar “Rinascita Scott” flet për lidhjet e bosëve mafiozë të Ndranghetas me emra të rëndësishëm të politikës shqiptare.
Në rrëfimin e tij, Guastalegname përmend Valerio Navarrën, një person shumë i afërt me bosin e drogës Antonio Giuseppe Açorint, i cili i kishte thënë se kishte mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe se subjekti i korruptuar ishte ministri i Drejtësisë ose i Brendshëm.
Një lidhje që bashkëpunëtori i drejtësisë thotë se kishte mësuar nga Robert Lazaj, i arrestuar në qershor të 2020.
“Më propozoi të shisja drogë direkt, pa ndërmjetës. Për të më joshur ai më nënvizoi lehtësinë me të cilën ata mund të organizonin transportimin e drogës prej mbështetjes së qeverisë shqiptare, në sajë të së cilës ata mund të përballonin ngarkesa të mëdha pa frikë nga kontrollet”, ka dëshmuar ai.
Sipas Guastalegname, Robert Lazaj i prezantohej si familjar i afërt i ministrit të qeverisë shqiptare e që garantonte sigurinë e këtyre trafiqeve.
Nuk dihet se për çfarë periudhe flet dëshmia e të penduarit të drejtësisë dhe as se për cilin ministër shqiptarë.