Fjalët që dikur i pati thënë Arnold Schwarzenegger nuk i përshtaten asnjë njeriu më mirë sesa Musa Juwaras, shkruan “Daily Mail”.
“Forca nuk vjen nga fitorja. Vështirësitë që i përjeton e zhvillojnë forcën tënde. Kur kaloni nëpër vështirësi dhe vendosni të mos dorëzoheni, atëherë kjo është forca”, pati thënë Schwarzenegger.
Historia apo rrëfimi i Juwaras, që është futur në diskursin kryesor pas golit të tij të parë në Serie A, të dielën kur Bologna e mposhti Interin (2:1), është një udhëtim i pabesueshëm nëpër Mesdhe, një birësim i zemrës dhe një betejë e hidhur ligjore që kërcënoi mundësinë e tij për të luajtur futboll në Itali.
Para tri javësh ishte përvjetori i katërt i udhëtimit të Juwaras nga vendlindja e tij, Gambia, për në brigjet e Sicilisë, në të cilin ishte i vetëm. Udhëtimi, të cilin Juwara e mori guximin ta bënte si 14-vjeçar në kërkim të një jete më të mirë, e dërgoi adoleshentin ambicioz përtej bregut perëndimor, pas Senegalit dhe Saharës Perëndimore, rreth harkut verior të Afrikës përtej Marokut e Tunizisë. Si një i mitur i pashoqëruar që mbërriti në Itali, betejat e Juwaras nuk kishin përfunduar ende.
Por me të arritur në Itali, ai ishte i bindur se ishte ndalur në një vend ku mund të gjente një mundësi. Ai u vendos në rajonin Potenza, rreth dy orë e gjysmë larg jugut të Napolit. Pikërisht, në këtë vend fati i Juwaras u kthye paksa për të mirë. Virtus Avigliano, një ekip amator që vepronte jashtë Avigliano, një qytet aty pranë në provincën e Potenza, i dha Juwaras një shans për t’u rikthyer në fushë, ndërsa ai vazhdoi të ndjekë ëndrrën e tij. Me Juwaran, që kishte lënë shtëpinë i pashoqëruar dhe akoma në moshën e një fëmije, trajneri i ekipit, Vitantonio Summa veproi si kujdestari ligjor i gambianit. Marrëdhënia e ngushtë e çiftit në fushë dhe jashtë fushës përfundimisht bëri që trajneri Summa dhe gruaja e tij Loredana Bruno të bëhen prindërit kujdestarë të Juwaras.
Forma e tij si futbollist nën kujdestarin e tij të ri ishte befasuese, mbresëlënëse dhe emri i tij shpejt filloi të shtrihej përtej krahinës së Potenzas. Megjithatë, pas adoptimit të tij nga trajneri Summa, filluan vështirësitë e tjera për Juwaran. Në fakt, një betejë e hidhur ligjore, kërcënonte për t’i dhënë fund ëndrrës së tij si futbollist në Itali ende pa e filluar. Federata e Futbollit e Italisë (FIGC) ishte kundër vendimit që Juwara t’i bashkohej skuadrës së Chievos nga Verona. Arsyeja e dhënë nga federata ishte se rregullat e reja për emigrantët në vend parandalonin blerjen e një lojtari të ri. Për shkak të kësaj situate të krijuar, Juwara kishte mbetur në depresion për shkak se federata nuk po e lejonte atë të futej në një klub që dëshpërimisht dëshironte ta transferonte.