Në Tërstenik të Pejës sot u nderuan të rënët gjatë luftës së fundit në Kosovë. Pikërisht me 8 maj, 23 vjet më parë në Tërstenik ranë dëshmorë 16 ushtarë të UÇK-së, 11 prej të cilëve ishin nga ky fshat.
Mal Morina duke kujtuar rënien e bashkëluftëtarëve, evokon momentet e vështira por krenare të atyre ditëve.
“Ishim të rrethuar në tri kordone me artileri, këmbësori. Kishte granatime, dhe e vetmja mënyrë për largim nga rrethimi ishte përmes Drinit të Bardhë. Pikërisht aty kanë rënë me armë në dorë këta dëshmorë”, rrëfen Mal Morina për RTK-në.
Ndjenja krenarie por edhe dhembje kanë edhe familjarët e dëshmorëve të rënë.
“Sa është e madhe dhimbja për babën, vëllain e kushërinjtë, aq e madhe është edhe krenaria, pasi ata kanë luftua dhe e kanë dhënë jetën për Kosovë”, shprehet familjarja.
“Kemi dhimbje, por edhe krenari pasi nuk janë pak 11 dëshmorë që fshati ynë i ka dhënë, pasi ata ranë me pushkë në dorë”, shprehet një tjetër banorë i fshatit Tërstenik.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu që ishte e pranishme në këto homazhe thotë se çfarëdo që të veprohet apo thuhet nuk e bën zëvendësimin e këtyre heronjve.
“Mund t’i përkujtojmë me nderim e lavdi, me krenari, pasi çfarëdo që të themi apo veprojmë sot, ata janë të pazëvendësueshme për familjen e tyre”, deklaroi Musliu.