Hoteli i vendosur brenda stadiumit të klubit anglez Blackpool ka vendosur masa të rrepta për ditët e ndeshjeve, duke paralajmëruar gjoba deri në 3,000 euro nëse klientët shikojnë fushën nga dritaret e dhomave të tyre gjatë zhvillimit të takimeve, raporton The Telegraph.
Sipas njoftimit zyrtar në faqen e hotelit, mysafirët që qëndrojnë në dhomat luksoze me pamje direkte nga fusha janë të detyruar t’i mbyllin perdet 90 minuta para fillimit të çdo ndeshjeje në shtëpi dhe t’i mbajnë ato të mbyllura gjatë gjithë kohës së ndeshjes.
Këto masa zbatohen pavarësisht faktit se çmimet e dhomave rriten ndjeshëm në ditët e ndeshjeve, me klientët që paguajnë deri në 160 euro për natë për akomodim në dhoma që më parë përdoreshin si lozha VIP.
Një gazetar i Telegraph, i cili qëndroi së fundmi në hotel gjatë ndeshjes mes Blackpool dhe Bradford, ka zbuluar se nuk ishte informuar paraprakisht për këtë rregull, ndonëse ishte regjistruar në hotel pak më shumë se një orë para fillimit të takimit.

