Sektori i turizmit në Evropë po merr frymë i lehtësuar. Shumë vende kanë zbutur kufizimet në jetën e përditshme, duke e bërë turizmin sërish të mundshëm. DW Travel ofron një përmbledhje të rregullave që zbatohen në BE.
Verë, diell, sërf, plazhe me rërë dhe shumë kulturë: pushimet në Evropë janë përsëri të mundshme për shumë njerëz, por vetëm nëse ata bëjnë kujdes.
Në të gjithë Evropën, shumë shtete i kanë hequr bllokimet dhe kanë lehtësuar kërkesat e hyrjes së udhëtarëve. Por ndërsa rregullat ndaj pandemisë po lehtësohen në disa vende, të tjerët po i shtrëngojnë përsëri ato, për shkak të rritjes së infektimeve me variantin delta. Situata në secilin vend mund të ndryshojë nga dita në ditë, duke kërkuar fleksibilitet nga turistët dhe operatorët turistikë, hotelet dhe restorantet në verën e vitit 2021.
Turistët nga Izraeli, Australia, Zelanda e Re dhe Singapori, tashmë mund të udhëtojnë në shumë vende evropianë. Dhe që nga 20 qershori, qytetarët amerikanë mund të udhëtojnë në Evropë gjithashtu.
Që nga 1 korriku, kufizimet e udhëtimit janë hequr për vendet e tjera të përzgjedhura bashkërisht nga shtetet anëtare të BE -së. Turizmi në Europë po e rimerr veten përsëri. Kjo është një përmbledhje e rregullave më të fundit dhe informacioneve më të rëndësishme.
Bashkimi Evropian
Një përmbledhje e masave për udhëtimet drejt BE -së, përfshirë informacionin mbi certifikatën digjitale, është në dispozicion në faqen e internetit të Komisionit Evropian.
Informacioni i detajuar në lidhje me rregullat e karantinës, kërkesat mbi testimet në më shumë se 27 shtetet anëtare të BE-së, së bashku me shtetet Shengen jashtë BE-së si Zvicra, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda, mund të merret përmes platformës “Reopen EU” (Rihapja e BE-së). Ju gjithashtu mund të shkarkoni aplikacionin “Reopen” të krijuar enkas për smartfonët, ku gjendet informacion më i përditësuar.
Mbani parasysh se çdo shtet anëtar ka rregullat e tij për lejimin e hyrjes për udhëtarët e vendeve të treta brenda BE -së ose zonës Shengen. Shtetet anëtare mund të kërkojnë një test negativ të COVID pas mbërritjes, ose të kërkojnë një periudhë karantine të detyrueshme pas hyrjes. Për më tepër, vendet e BE-së kanë zbatuar një shumëllojshmëri të rregullave të distancimit shoqëror, orareve të qarkullimit dhe rregullave të mbajtjes së maskave.
Sistemi “semafor” i Bashkimit Evropian
Bashkimi Evropian ka prezantuar një sistem “semafor” për një panoramë më të plotë të situatës epidemiologjike në shtetet anëtare. Tri ngjyrat: e kuqe, portokalli dhe jeshile, tregojnë situatën e infektimeve sipas shkallës së rrezikshmërisë: e rrezikshme, mesatare dhe e ulët. Vendet ngjyrë gri tregojnë zonat me mungesë domethënëse të të dhënave.
Certifikata digjitale e BE-së
Për të lehtësuar udhëtimet në BE, Parlamenti Evropian miratoi një certifikatë digjitale COVID, e cila është shpërndarë në të gjithë shtetet e bllokut. Ajo tregon nëse individët: janë vaksinuar plotësisht, janë testuar negativisht ose janë shëruar nga sëmundja.
Dokumenti është lëshuar nga qendrat e autoriteteve të testimit dhe ka qenë i disponueshëm në të gjitha shtetet anëtare të BE-së që nga 1 korriku. Në këtë fazë, megjithatë, vetëm regjistrimet e vaksinimit ndaj COVID-19 të kryera nga një organ zyrtar, i autorizuar nga qeveria brenda Bashkimit Evropian, mund të regjistrohen në certifikatë. Vaksinimet nga jashtë BE -së ende nuk janë pranuar.
Gjermania
Rastet e koronavirusit kanë mbetur relativisht të ulëta që nga korriku, megjithëse disa ekspertë thonë se tani mund të fillojë një valë e katërt e infeksionit. Politikanët po e monitorojnë situatën me kujdes.
Si rregull i përgjithshëm, kushdo që mbërrin në Gjermani – qoftë me aeroplan, makinë, tren ose anije – duhet të paraqesë ose një rezultat negativ të testit, dëshmi të vaksinimit ose dokumentacion që vërteton shërimin nga COVID-19.

Ata që vijnë nga vende me rrezik të lartë dhe ku ekzistojnë variante të caktuara virusi, duhet të plotësojnë kritere shtesë. Para nisjes, individët duhet të regjistrohen në mënyrë digjitale. Të ardhurit nga zonat me rrezik të lartë duhet të karantinohen për 10 ditë. Gjermania aktualisht klasifikon Qipron, Portugalinë, Spanjën, Holandën dhe Mbretërinë e Bashkuar si zona me rrezik të lartë, së bashku me shumë vende jo-europiane si Egjipti, India dhe Afrika e Jugut.
Udhëtarët nga rajonet ku variantet e reja janë të përhapura, duhet të karantinohen për 14 ditë pa përjashtim. Brazili dhe Uruguai aktualisht janë të kategorizuar si të tillë. Vetëm shtetasit gjermanë dhe individët me leje qëndrimi gjermane lejohen të hyjnë në vend nga rajone të tilla.
Në Gjermani, në përgjithësi disa masa paraprake sigurie vazhdojnë të zbatohen, si përshembull respektimi i rregullave të higjienës, mbajtja e një distance minimale prej 1.5 metrash nga të tjerët, dhe mbajtja e maskës në ambientet e mbyllura si dhe në transportin publik.
Franca
Dëshironi një shtëtitje të shkurtër në Francë, apo edhe pushime të gjata? Vendi është i hapur për vizitorët, por pavarësisht nga zona ku po udhëtoni, ka standarde të caktuara që duhen përmbushur.
Udhëtarët e vaksinuar plotësisht mund të hyjnë në Francë pa kufizime. Sidoqoftë, ata duhet të tregojnë prova të vaksinimit dhe të plotësojnë një formular hyrjeje ku deklarojnë se nuk kanë simptoma të COVID-19.

Individët e pavaksinuar që mbërrijnë në Francë nga një vend i listës së gjelbër – aktualisht të gjitha vendet e BE -së së bashku me Andorrën, Vatikanin, Islandën, Lihtenshtajnin, Monakon, Norvegjinë, San Marinon, Zvicrën, Shtetet e Bashkuara dhe kombe të tjera – duhet të paraqesin një PCR negativ ose test antigjeni, ose dëshmi të shërimit nga COVID-19.
Individë të pavaksinuar nga vendet e listës së kuqe – aktualisht Afganistani, Argjentina, Bangladeshi, Brazili, Kolumbia, Kosta Rika, Kuba, Republika Demokratike e Kongos, Indonezia, Maldivet, Mozambiku, Namibia, Nepali, Omani, Pakistani, Rusia, Seyschelles, Afrika e Jugut, Surinami , Tunizi – mund të hyjnë në Francë vetëm për qëllime të rëndësishme. Ata duhet të bëjnë teste të tjera COVID-19 dhe të karantinohen për 10 ditë.
Të gjitha vendet e tjera të listës portokalli të Francës, i nënshtrohen një karantine shtatë-ditore. Për informacion të detajuar mbi kërkesat e hyrjes, lexoni faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme Franceze.
Ndërkohë, jeta publike franceze po i rikthehet gradualisht normalitetit, por kryesisht për njerëzit që janë të vaksinuar. Vendi po reagon ndaj përhapjes së variantit delta. Që nga 21 korriku, hyrja në aktivitetet kulturore dhe vendet publike nuk është më e mundur pa dëshmi paraprake të vaksinimit. Nga gushti e tutje, përdorimi i trenave në distanca të gjata si dhe hyrja në restorante, kafenetë dhe qendrat tregtare është e mundur vetëm me një certifikatë vaksinimi, PCR negativ ose test antigjeni.
Për turistët që nuk janë të vaksinuar plotësisht, pushimet në Francë mund të shndërrohen në pushime luksi, pasi testet e COVID-19 nuk ofrohen më falas.
Ndërkohë, rregullat e higjienës dhe distanca fizike mbeten në fuqi. Kufiri i jetës së natës në Francë u hoq më 20 qershor. Nuk është më e detyrueshme të mbash maska në publik. Mbulimi i gojës dhe hundës, megjithatë, është ende i detyrueshëm kur jeni në ambiente të mbyllura dhe kur përdorni transportin publik. Disa zona të vendit po tregojnë nivele më të larta të incidencës se të tjerat.
Italia
Shkalla e incidencës po rritet përsëri në Itali. Nëse hyni në vend nga një shtet i BE -së, zona Shengen, Izraeli, Kanadaja, Japonia ose Shtetet e Bashkuara, nuk do të përballeni me ndonjë problem të madh në kontrollet kufitare. Udhëtarët që hyjnë në Itali duhet të paraqesin një formular lokalizues pasagjerësh dhe dëshmi të vaksinimit të plotë, shërimit nga COVID-19, ose një rezultat negativ të PCR-së ose testit antigjen të 48 orëve të fundit. Certifikata digjiitale e BE -së për COVID është forma e preferuar e dokumentacionit edhe në Itali. Udhëtarët nga Mbretëria e Bashkuar, megjithatë, duhet të kalojnë një periudhë karantine pesë-ditore dhe të testohen përsëri në fund të saj.

