Kosova
Rreth 13 mijë vota me kusht, KQZ këtë javë nis procesin e verifikimit dhe numërimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten mbrëma përfundoi numërimin e votave për kandidatët për deputetë që garuan në zgjedhjet e 9 shkurtit.
E pas përfundimit të këtij procesi, pritet që së shpejti të nis numërimi i votave me kusht, votave nga diaspora dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
Lidhur me këtë zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se numërimi i këtyre votave do të nis gjatë javës së ardhshme.
“Pas përfundimit të të gjitha procedurave, siç janë: skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta me qëllim të krahasimit me votuesit nga vendvotimet me kusht; vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, KQZ do të fillojë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës. Kjo do të bëhet gjatë javës së ardhshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe sigurisht se mediat dhe vëzhguesit do të njoftohen me kohë”, ka thënë Elezi.
Ai ka theksuar se të shtunën, në QNR ka filluar skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në 2,533 vendvotime të rregullta në ditën e zgjedhjeve.
“Skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta është i domosdoshëm para se të fillojmë me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse na ndihmon që të sigurohemi se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht. Pasi të kryhen këto procese, do të mund të fillojë numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës”, tha Elezi.
Lidhur me vlerësimin e pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, Elezi theksoi se aktualisht, KQZ është duke bërë vlerësimin e këtyre pakove, respektivisht nga votimi përmes postës.
“Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 22 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 60,997 pako, prej të cilave janë aprovuar 56,947 ndërkaq janë refuzuar 4,050. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj”, tha Elezi.
Ai bëri të ditur se procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 7,718 pako me fletëvotime.
“Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara. Në përgjithësi, gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, 84,600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike. Nga 20,324 në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15,352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime”, ka thënë Elezi.
I pyetur rreth numrit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, zëdhënësi i KQZ-së u shpreh se numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12,801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta.
“Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është: 2,597 vota”, tha Elezi.
Kosova
Këta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
Komisioni Qendror Zgjedhor po vazhdon me numërimin e votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë ka shkuar mbi 10 për qind, kurse rezultatet preliminare për dhjetë kandidatët më të votuar të Vetëvendosjes deri në orën 18:25 janë këto:
Albin Kurti me 37,026 vota,
Glauk Konjufca me 28,972 vota,
Hekuran Murati me 15,143 vota,
Albulena Haxhiu me 14,823 vota,
Donika Gërvalla me 13,016 vota,
Xhelal Sveçla me 11,922 vota,
Hajrulla Çeku me me 10,682 vota,
Avni Dehari me 9,709 vota,
Mimoza Kusari me 9,050 vota
Ejup Maqedonci me 8,493 vota.
Pas procesimit të rezulateve preliminare në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49.30% të votave.
Në bazë të këtyre rezultateve, LVV siguron 56 mandate(pa votat e diasporës dhe ato me kusht)./REL
Diaspora
Kryetari shqiptar i komunës së Morbachut bëhet viral në Gjermani
Kryetari i komunës së Morbachut në landin Rheinland-Pfalz të Gjermanisë, Arianit Besiri, me prejardhje nga Mitrovica, është shndërruar së fundmi në një nga figurat më të komentuara në rrjetet sociale dhe media gjermane, falë mënyrës së veçantë të komunikimit dhe afrimit me qytetarët e komunës që ai drejton.
Besiri, i cili u zgjodh kryetar komune si kandidat i SPD-së me 60.2 për qind të votave, po vlerësohet gjerësisht për qasjen e tij të drejtpërdrejtë, të hapur dhe njerëzore ndaj banorëve. Ai shihet shpesh në terren, në biseda të drejtpërdrejta me qytetarët, pa formalizma të tepruara, gjë që ka ndikuar dukshëm në rritjen e besimit dhe simpatinë ndaj tij.
Në video dhe intervista të shpërndara në rrjete sociale, banorë të Morbachut kanë folur me fjalë shumë pozitive për kryetarin e tyre. Giovanni Tatoli, nxënës, ka theksuar se Besiri është shumë i afërt me të rinjtë dhe i qasshëm në çdo moment. Po ashtu, edhe Rokkea Alabudalla, nxënëse, ka vlerësuar komunikimin e hapur dhe mënyrën miqësore me të cilën kryetari i komunës i dëgjon qytetarët.
Vlerësime të ngjashme kanë dhënë edhe banore të tjera të komunës, si Sonja Kummerer, Manuela Fritsch dhe Marita Fritsch, të cilat e kanë përshkruar Besirin si një kryetar komune shumë të afërt me njerëzit, plot energji, shpeshherë edhe me humor, por mbi të gjitha si një drejtues që po bën një punë të mirë dhe të ndershme për komunitetin lokal.
Kjo qasje e tij ka bërë që Arianit Besiri të përmendet gjithnjë e më shumë si shembull pozitiv i integrimit dhe suksesit, jo vetëm për komunitetin shqiptar në Gjermani, por edhe më gjerë. Për shumë banorë të Morbachut, ai përfaqëson një model modern të udhëheqjes lokale, të bazuar në dialog, transparencë dhe afërsi me qytetarin./Albinfo.ch.
Albania
Berisha uron Kurtin për fitoren: Zgjedhjet, një sukses i vërtetë i demokracisë në Kosovë!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për fitoren e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Përmes po postimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se edhe partitë e tjera politike të Kosovës mbajtën qëndrime dinjitoze gjatë fushatës, për respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Po ashtu Berisha shkruan se këto zgjedhje treguan se në Kosovë ka garë të lirë dhe demokratike, shkruan A2 CNN.
Kreu i PD nuk harroi të akuzonte kryeministrin Edi Rama për pengim të procesit të rregullt zgjedhor në Shqipëri.
Postimi i Berishës:
Zgjedhjet Parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë, një sukses frymëzues për Shqipërinë
Të dashur miq, dje Kosova zhvilloi zgjedhjet palamentare të parakohshme, të dytat në një hark kohor 10 mujor. Këto zgjedhje për fushatën, procedurën e votimit, garën e lirë, administrimin e votës ishin një sukses i vërtetë i demokracisë së re të Kosovës dhe mbarë qytetarëve të saj dhe shpresoj një frymëzim për shqiptarët në Shqipëri, ku armiku i egër i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, Ramaduro i Europës, ka shndërruar procesin jetik të zgjedhjeve të lira në farsë të shëmtuar elektorale.
Me këtë rast dua të uroj përzemërsisht qytetarët e lirë të Kosovës, autoriteret e vendit dhe institucionet e administrimit të procesit zgjedhor dhe forcat politike për arritjen e vërtetë të rendit demokratik të vendit të tyre.
Uroj fituesin e zgjedhjeve Z. Albin Kurti për fitoren e thellë të këtyre zgjedhjeve, por edhe të gjitha forcat e tjera politike për pjesëmarrjen dhe qëndrimet e tyre dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vendimit të sovranit. Dhe njëherë urime Kosovës, krenari e shqiptarëve! #sb
-
Albania11 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK10 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports9 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania11 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania1 day agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
UK1 day agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
