Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka prezantuar një plan me pesë pika, për të mbledhur rreth 800 miliardë euro për mbrojtjen e Evropës, dhe për të ndihmuar në ofrimin e mbështetjes ushtarake “të menjëhershme” për Ukrainën, pasi Presidenti i SHBA Donald Trump pezulloi ndihmën ushtarake për Kievin.
“Ky është një moment për Europën dhe ne jemi gati të rritemi”, njofton von der Leyen në Bruksel.
“Riarmatosja e Evropës” mund të arrijë afër 800 miliardë euro shpenzime të mbrojtjes për një Europë të sigurt.
Gjithashtu, bëhet me dije se BE do të propozojë t’u japë vendeve anëtare më shumë hapësirë fiskale për investimet e mbrojtjes, si dhe 150 miliardë euro kredi për këto investime dhe do të synojë të mobilizojë gjithashtu kapitalin privat, thotë von der Leyen.
Ndërkohë, Britania e Madhe thotë se kryeministri Keir Starmer është i vendosur për sigurimin e paqes në Ukrainë, ndërsa angazhon aleatët për këtë çështje.
“Ne mbetemi absolutisht të përkushtuar për të siguruar një paqe të qëndrueshme në Ukrainë dhe po angazhohemi me aleatët kryesorë në mbështetje të kësaj përpjekjeje. Është gjëja e duhur për të bërë dhe është në interesin tonë ta bëjmë këtë”, tha një zëdhënës i qeverisë britanike në një deklaratë.