Për rreth dy orë, Aeroporti i Berlinit ndaloi të gjitha fluturimet gjatë natës, pas raportimeve për një dron në zonë, duke shkaktuar vonesa dhe devijime të shumta.
Një dëshmitar raportoi praninë e dronit, çka çoi në mbylljen e pistës veriore. Edhe policia konfirmoi se e pa dronin, por nuk arriti ta gjente. Në operacion u përfshinë edhe një helikopter policie e Zyra Federale e Aviacionit të Gjermanisë.
Fluturimet për në Bazel, Oslo dhe Barcelonë nuk mundën të niseshin, ndërsa një avion nga Londra për në Berlin u devijua në Hamburg, si rezultat i rrezikut nga droni. Po ashtu, ka raportime se fluturimet nga Stokholmi, Antalia dhe Helsinki drejt Berlinit u ridrejtuan. Vonesat pritet të vazhdojnë edhe sot.
Autoritetet i këshilluan udhëtarët të kontrollojnë statusin e fluturimeve. Këtë vit janë regjistruar pesë incidente me dronë në aeroportin e Berlinit, krahasuar me 20 më 2024-ën. Fluturimi me dron brenda një rrezeje 1.5 km nga aeroportet gjermane është i ndaluar dhe konsiderohet ndërhyrje e rrezikshme në aviacionin civil.
Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit në SHBA po raporton probleme me trafikun ajror në disa pjesë të vendit, të cilat po shkaktojnë bllokimin e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar JFK për shkak të mungesës së stafit në qendrat e kontrollit të fluturimeve në Nju York, Indianapolis dhe Boston. Kjo situatë është e lidhur me mbylljen e vazhdueshme, prej një muaji.

