Për të respektuar rregullat e “Fair Play Financiar”, klubi i Çelsit është i detyruar të shesë, kryesisht lojtarë të rritur në akademi, pasi quhet fitim neto dhe kështu zbuten humbjet.
Jo pak herë Armando Broja është parë si i pari në listë për t’u shitur gjatë kësaj vere, me Çelsin që mendoi se do të ishte Fulham ai që do të blinte kartonin e sulmuesit shqiptar. Por nuk ka ndodhur kështu dhe tashmë londinezët duket se kanë prioritete të tjera në shitje.
Rajs Xhejms dhe Konor Gallager janë dy lojtarët që Çelsi kërkon t’i shesë, pasi mund të përfitojë jo pak. I pari ka luajtur vetëm 9 ndeshje në total. Dëmtimet e nuk e kanë lejuar të shprehë potencialin e tij, ndërkohë që ka një kontratë deri në vitin 2028 dhe kushton 50 milionë euro.
E njëjta situatë edhe me Gallager, që kushton rreth 45 milionë euro dhe ka një kontratë deri në vitin 2024 me londinezët. Ai luan rregullisht me skuadrën e trajnerit Pocetinos, por duket se lamtumira është e pashmangshme.
Një tjetër lojtar që do t’i thotë lamtumirë skuadrës është veteran Tiago Silva, që në moshën 39-vjeçare pritet të rikthehet në Brazil. Kontrata e tij përfundon këtë verë, ndaj do të jetë një transferim i lirë, por klubi nuk do të paguajë pagën e majme të tij.
Kështu, me tre lojtarë në dalje gjatë kësaj vere, drejtuesit e klubit të Çelsit mund të mbajnë Brojën, ndoshta për t’i dhënë shansin e fundit sulmuesit kuqezi në skuadër, për të shprehur gjithë potencialin që ai ka.