Kosova ka shënuar përparim në Indeksin e Pasaportave Henley, një renditje ndërkombëtare që mat fuqinë e pasaportave, duke u renditur tani në vendin e 62-të globalisht.
Sipas këtij indeksi, qytetarët kosovarë mund të udhëtojnë pa vizë në 81 vende të botës.
Ky është një përmirësim krahasuar me vitin 2024, kur pasaporta kosovare ishte në vendin e 68-të, derisa matjet e fundit janë kryer më 10 dhjetor.

Foto: henleyglobal.com
Rritja reflekton përpjekjet diplomatike të Kosovës dhe avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare që lehtësojnë lëvizshmërinë e qytetarëve.
Në rajon, Kroacia vazhdon të mbetet lider, duke zënë vendin e shtatë me 184 vende të aksesueshme pa vizë, në të njëjtin nivel me vende si Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Singapori vazhdon të kryesojë listën me 193 vende, duke ruajtur pozitën e tij si pasaporta më e fuqishme në botë, falë lidhjeve të forta diplomatike dhe fuqisë ekonomike.
Ky përparim i pasaportës kosovare konsiderohet një lajm i mirë për qytetarët, duke i mundësuar udhëtime më të lehta dhe zhvillim të mundësive të reja për biznes, arsim dhe turizëm.




