Një komplot i Hamasit për të vrarë hebrenjtë në Evropë është shkatërruar tashmë nga Policia gjermane dhe daneze, të cilët zbuluan ndryshimin alarmues të taktikave të grupit terrorist.
Tre persona u arrestuan në Gjermani, tre në Danimarkë dhe një në Holandë me kryeministrin danez që e përshkruan komplotin si mjaft serioz.
“Të dërguarit e grupit militant të Hamasit mësohet se ishin urdhëruar që të sillnin një depo armësh nga një vend i pazbuluar në Evropë në Berlin për të sulmuar institucionet hebraike”, thanë prokurorët gjermanë.
Gjermania ka thënë se katër nga shtatë të dyshuarit në komplotin e supozuar janë anëtarë të Hamasit, grupit të ndaluar terrorist që kontrollon Rripin e Gazës dhe që filloi masakrën e paprecedentë 7 tetorit në Izraeli jugor.
Të dyshuarit thuhet se po planifikonin sulme në gjithë Evropën, thanë zyrtarët, pa dhënë detaje të mëtejshme. Zyrtarët izraelitë kanë sugjeruar që të gjitha arrestimet ishin të lidhura me një komplot të vetëm terrorist evropian ndërkufitar, shkruan e përditshmja britanike ‘The Telegraph’.
Nuk kishte asnjë sugjerim të menjëhershëm për një lidhje britanike me komplotin e Hamasit. Por, sipas organit të Sigurisë, lajmi kishte implikime shqetësuese edhe për Mbretërinë e Bashkuar.
Agjencitë e inteligjencës britanike dhe perëndimore kanë paralajmëruar më parë se lufta në Izrael ka rritur rrezikun e sulmeve ndaj hebrenjve në Evropë.
Tre nga të dyshuarit e arrestuar në Berlin janë shtetas të Egjiptit dhe Libanit sipas prokurorëve gjermanë. Tre të dyshuarit e arrestuar në Danimarkë do të akuzohen për vepra terroriste, sipas kryeinspektorit të policisë daneze Flemming Drejer.
Evropa ka qenë në gatishmëri të lartë për sulmet e lidhura me Hamasin që kur grupi terrorist nisi masakrën e 7 tetorit. Sipas policisë daneze, të dyshuarit e arrestuar duket se kanë lidhje shtesë me bandat kriminale në Evropë. Patrullat e sigurisë rreth vendeve hebraike në Danimarkë po rriten në përgjigje të komplotit të prishur.
Tre të arrestuarit në Berlin dhe një tjetër që po mbahet në Holandë, mësohet se po përgatisnin një depo armësh që do të “mbahej në gjendje gatishmërie në funksion të sulmeve të mundshme terroriste kundër institucioneve hebraike në Evropë”, thanë ata.
Bild, tabloidi gjerman, emëroi të dyshuarit e mbajtur në Berlin si Abdelhamid Al A me origjinë libaneze, shtetasin egjiptian Mohamed B dhe me origjinë libaneze Ibrahim El-R. Autoritetet gjermane zakonisht fshehin mbiemrat e të dyshuarve për krime dhe terrorizëm.
Jo më vonë se fillimi i vitit 2023, udhëheqësit e Hamasit në Liban e kishin ngarkuar Abdelhamid Al A, që të gjente një “depo me armë në Evropë, të cilën organizata e kishte ngritur fshehurazi atje në të kaluarën”, thanë prokurorët.
Abdelhamid Al A, Mohamed B dhe një i dyshuar tjetër, Nazih R, “u nisën nga Berlini disa herë për të kërkuar armët” dhe u ndihmuan në përpjekjet e tyre nga Ibrahim El-R.
“Mbrojtja e hebrenjve është prioriteti ynë kryesor”, tha Nancy Faeser, ministrja e brendshme e Gjermanisë, të enjten mbrëma.
Pesë apartamente dhe një restorant në Berlin u kontrolluan nga policia si pjesë e hetimit. Prokurorët gjermanë thanë se hetimi për tre të dyshuarit e arrestuar atje kishte nisur disa muaj përpara masakrës së Hamasit të 7 tetorit.
Bëhet me dije se, tre të dyshuarit e arrestuar në Danimarkë do të dalin në një seancë gjyqësore të mbyllur të premten.
Mette Frederiksen, kryeministrja daneze, tha se komplotistët po përpiqeshin të zgjeronin konfliktin Hamas-Izrael në Evropë.
“Në lidhje me Izraelin dhe Gazën, është sigurisht krejtësisht e papranueshme që dikush të sjellë një konflikt diku tjetër në botë në shoqërinë daneze”, tha ajo në një takim me liderët e BE-së në Bruksel të enjten.
Zyra e kryeministrit izraelit sugjeroi që Mossad, agjencia e inteligjencës së jashtme të Izraelit, luajti një rol në alarmimin e autoriteteve.
“Organizata terroriste Hamas ka punuar pa pushim dhe shterues për të zgjeruar operacionet e saj vdekjeprurëse në Evropë dhe përbën një kërcënim për sigurinë e këtyre vendeve”, tha ai.
“Mossad dhe ISA [Shin Bet] do të vazhdojnë të kombinojnë forcat dhe aftësitë me partnerët e tyre në vend dhe në mbarë botën në mënyrë që të pengojnë synimet e Hamasit dhe të eliminojnë aftësitë e tij.”
Anja Dalgaard-Nielsen, kreu i inteligjencës daneze, tha se një mori djegiesh të Kuranit si në Danimarkë ashtu edhe në Suedinë fqinje kanë qenë një faktor në rrezikun e shtuar të sigurisë.
Të enjten mbrëma, Marco Buschmann, ministri federal i drejtësisë i Gjermanisë, falënderoi autoritetet për kapjen e të dyshuarve dhe u zotua të mbronte hebrenjtë në Evropë.
“Falenderimet e mia shkojnë për të gjithë të përfshirët që, me këtë hetim të suksesshëm, kanë dhënë kontributin e tyre për të siguruar që hebrenjtë në Evropë mund të vazhdojnë të jetojnë në siguri dhe paqe”, tha ai.
“Prandaj ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që hebrenjtë në vendin tonë të mos kenë më frikë për sigurinë e tyre.”
Rritja e rrezikut të sulmeve terroriste
Në fillim të dhjetorit, një zyrtar i BE-së paralajmëroi se kishte një rrezik në rritje të sulmeve terroriste gjatë periudhës së pushimeve dimërore, si pasoja të mundshme nga lufta Izrael-Hamas.
“Me luftën midis Izraelit dhe Hamasit dhe polarizimit që ajo shkakton në shoqërinë tonë, me sezonin e ardhshëm të festave, ekziston një rrezik i madh i sulmeve terroriste në Bashkimin Evropian”, tha Ylva Johansson, komisionerja për çështjet e brendshme të BE-së.
Qeveria izraelite ka paralajmëruar gjithashtu se sulmet mund të jenë në rritje që kur shpërtheu lufta, duke këshilluar qytetarët e saj që të rishikojnë udhëtimin jashtë vendit.
Vetëm pak ditë më parë, Izraeli tha se Mossad kishte punuar me autoritetet në Qipro për të penguar një plan të urdhëruar nga Irani për të sulmuar objektivat izraelitë dhe hebrenj në ishull. Shumë izraelitë kanë janë zhvendosur në Qipro që nga shpërthimi i luftës.
Muajin e kaluar, autoritetet izraelite thanë se kishin bashkëpunuar me Brazilin, gjë që rezultoi me arrestimin e dy individëve të dyshuar për terrorizëm dhe lidhje me Hezbollah, grupi i armatosur me bazë në Liban që është aleat i Hamasit.
Gjithashtu të enjten, SHBA dhe Britania e Madhe njoftuan sanksione ndaj tetë individëve të lidhur me Iranin, mes shqetësimeve se regjimi i Teheranit po financon aktivitetet e Hamasit në Perëndim.
Ata përfshijnë Esmail Qaani, kreun e Forcave Quds, krahun e inteligjencës ushtarake të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe katër operativë të Forcës Quds me bazë në territoret palestineze.