Krimi në Shqipëri është rritur me 7,5 % më shumë se sa në vitin 2020.
Sipas statistikave të INSTAT, për vitin 2021 janë evidentuar gjithsej 35.175 vepra penale dhe në raport me popullsinë në vitin 2021, janë evidentuar 125,1 vepra penale për 10 mijë banorë, nga 115,4 që ishin në vitin 2020.
Dhuna në familje, krimet në fushën e drogës, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, vrasje me dashje, mashtrimet dhe vjedhje duke shpërdoruar detyrën janë rritur, krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa pjesa tjetër e veprave penale ka pësuar rënie.
Autorë të veprave penale
Në vitin 2021 janë regjistruar 39.328 autorë për vepër penale, 4,0 % më pak, krahasuar me vitin 2020.
Ndërkohë, numri i autorëve pa përsëritje në veprat penale, në vitin 2021 është 35.745 autorë, 1,5 % më shumë, krahasuar me vitin 2020.
Në vitin 2021, 33,8 % e autorëve janë të grup-moshës 30-44 vjeç, 28,1 % të grup-moshës 18-29 vjeç dhe 22,1 % i përkasin grup-moshës 45-59 vjeç. Edhe në raport me popullsinë, renditja e autorëve sipas grupmoshave është e njëjtë.
Të dëmtuar
Në vitin 2021, janë regjistruar 16.910 persona të dëmtuar, 5,2 % më pak, krahasuar me vitin 2020. Personat e dëmtuar për krime kundër personit përbëjnë 37,9 % të totalit të personave të dëmtuar.
Në vitin 2021, në totalin e personave të dëmtuar për krime kundër personit, vajzat përbëjnë 27,8 % të të dëmtuarve dhe përqindja më e madhe e tyre vihet re në krime seksuale, krime kundër moralit dhe dinjitetit si edhe krime kundër fëmijëve, martesës dhe familjes.
Procedime penale
Në vitin 2021, numri i procedimeve penale të regjistruara është 28.349, 1,8 % më shumë, krahasuar me vitin 2020.
Nga 25.688 procedime penale të përfunduara, 23,3 % e tyre janë pushuar, 34,7 % janë pezulluar dhe 42 % janë dërguar për gjykim në gjykatë.
Të pandehur
Në vitin 2021 janë regjistruar 16.196 persona të pandehur, 20,8 % më shumë, krahasuar me vitin 2020. Meshkujt përbëjnë 94,9 % në totalin e personave të pandehur.
Të burgosur
Në vitin 2021 numri i të burgosurve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale është 4.956, 7,4 % më shumë, krahasuar me vitin 2020.
Në raport me popullsinë, në 2021 janë 18 të burgosur për 10 mijë banorë, nga 16 të burgosur që ishin një vit më parë. Meshkujt përbëjnë 98,7 % të totalit të të burgosurve.
Grup-mosha 21-29 vjeç ka normën më të lartë të të burgosurve në raport me popullsinë, ndërsa ata mbi 60 vjeç dhe nën 20 vjeç kanë normën më të ulët.