Ka shkuar në 920 numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që tronditi Afganistanin mëngjesin e sotëm, ndërsa qindra të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas udhëheqësit të talebanëve Hibatullah Akhundzada qindra shtëpi u shkatërruan dhe numri i të vdekurve mund të rritet.
Edhe pamjet e shpërndara në mediat ndërkombëtare dhe ato sociale tregojnë rrëshqitjet e dheut dhe shtëpitë e rrënuara të ndërtuara nga balta në provincën lindore të Paktikas, ku ekipet e shpëtimit po përpiqen të trajtojnë të plagosurit.
Në zonat e largëta, helikopterët kanë transportuar viktimat në spitale.
Zëvendësministri për menaxhimin e fatkeqësive, Sharafuddin Muslim tha në një konferencë shtypi se të paktën 920 njerëz ishin vrarë dhe 600 të tjerë u plagosën.
Tërmeti goditi rreth 44 km nga qyteti juglindor i Khost, pak pas orës 01:30 me orën lokale, kur shumë njerëz ishin në shtëpi, duke fjetur.
Tërmetet priren të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në Afganistan, pasi ka shumë zona rurale ku banesat janë të paqëndrueshme, ose të ndërtuara keq.