Numri i viktimave nga sulmi me raketa mbi një qendër tregtare në Ukrainë, nga çasti në çast po rritet.
Dy raketa ruse një orë më parë goditën një qendër tregtare në qytetin ukrainas Kremenchuk, brenda të cilës në ato momente gjendeshin mbi 1.000 civilë, transmeton Telegrafi.
Lajmin për sulmin dhe numrin e viktimave të identifikuara deri më tani, e ka dhënë guvernatori rajonal Dmytro Lunin, i cili tha se të paktën 10 persona deri më tani janë identifikuar se kanë humbur jetën, dhe 40 tjerë janë lënduar rëndë.
“Nuk e dimë sesa njerëz mund të jenë nën rrënoja”, shtoi guvernatori rajonal.
Pamjet e tymit të zi dhe zjarri mbi këtë qendër tregtare i ka publikuar edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Megjithatë Lunin shpreson se do të arrijnë të gjejnë shumë civilë të gjallë, që mund t’i kenë shpëtuar sulmit me raketa të realizuar nga ushtria ruse.