Kosova
Rritja e çmimit të energjisë nga 1 janari? Gërxhaliu: Goditja më e madhe për qytetarët e Kosovës
Nga 1 janari pritet që çmimi i energjisë elektrike të rritet, një zhvillim që sipas njohësit të çështjeve ekonomike Safet Gërxhaliu do të ketë pasoja serioze për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
Sipas tij, Kosova është futur në një cikël “të rrezikshëm” ekonomik për shkak të varësisë së madhe nga importi i energjisë, duke e cilësuar këtë si “mëkatin më të madh ekonomik” që i është bërë vendit.
“Është e vërtetë që Kosova është e varur nga importi i energjisë elektrike dhe ky është mëkati më i madh që i është bërë Kosovës, kur dihet që resurset natyrore i ka të mjaftueshme që të jetë eksportues i energjisë elektrike”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Ai thekson se mungesa e transparencës në sektorin energjetik dhe rritja e varësisë nga importi po i vënë konsumatorët në pozitë të vështirë, veçanërisht në prag të rritjes së re të çmimeve që pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit.
“Kosova nga vitet e shumta ka stagnu dhe nga ky drejtim vetë rregullatori i energjisë elektrike ka paralajmëru që në fund të vitit do të ketë rishikim të faturave apo të energjisë – çmimit të energjisë elektrike, edhe pse mungon transparenca në lidhje me atë se sa dhe si paguhet. Kemi faktin tjetër që nga 1 janari hyn në fuqi, direktiva për mbrojtje nga dioksid karboni, besoj se do të jetë një barrë shtesë e cila do ta godasë ekonominë e Kosovës, po në veçanti qytetarët e Kosovës i cilin në këtë kohë të inflacionit është duke u ballafaquar vërtetë me sfida të shumta sociale”, ka thënë ai.
Gërxhaliu paralajmëroi se shpenzimet për energji elektrike janë rritur ndjeshëm në raport me të ardhurat mesatare të qytetarëve, duke e përshkruar situatën si alarmante për buxhetin familjar.
“Në të kaluarën, shpenzimet për energji kanë qenë 15 deri në 30 për qind të pagës mesatare. Sot, afro 70 për qind e buxhetit familjar shkon për energji elektrike. Kjo ndikon në varfërimin e shportës së konsumatorit dhe në rënien e konsumit”.
Sipas tij, rënia e konsumit do të ketë efekt zinxhir në ekonominë e përgjithshme, pasi konsumi është një nga shtyllat kryesore të stabilitetit ekonomik të vendit.
“Kosova po importon inflacion të heshtur. Në këtë kohë, kur kemi ngritje të çmimit të energjisë elektrike, kjo është goditja më e madhe që po i bëhet qytetarëve – çdo ditë e më tepër po bie fuqia blerëse e tyre”.
Telegrafi ka kontaktuar edhe kryesuesin e ZRRE-së, Ymer Fejzullahu mirëpo i njëjti nuk ishte i qasshëm.
Ndryshe, në muajin shtator të këtij viti zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) nuk e përjashtoi mundësinë që deri të fund të vitit të bëjë shqyrtimin e tarifave të reja të energjisë elektrike.
Sipas kryesuesit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu shqyrtimi i tarifave mund të përfshijë ngritje apo edhe ulje të tarifave të energjisë elektrike varësisht nga kosto e sistemit.
Kosova
Gjenden të vdekur dy persona në një vilë në Pejë
Dy persona, një burrë dhe një grua, janë gjetur pa shenja jete në një vilë në Pejë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Policia dhe Prokuroria në këtë komunë.
Policia është njoftuar për rastin rreth orës 15:10, tha zëdhënësi i këtij institucioni në Pejë, Fadil Gashi.
“Rreth orës 15:10 policia është informuar se në rrugën e KFOR-it se dyshohet se dy persona në një vilë janë pa shenja jete. Policia dhe ekipi i emergjencës ka dal në vendin e ngjarjes, ku vdekja e dy personave është konstatuar nga mjeku kujdestar. Viktimat janë njëri i gjinisë mashkullore dhe tjetra e gjinisë femërore”, u shpreh ai.
Ndërkaq, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se në vendngjarje ka dalë prokurorja për krime të rënda dhe kryeprokurori, ndërkaq trupat e pajetë do të tërhiqen nga vendi i ngjarjes për t’iu nënshtruar autopsisë, me qëllim që të përcaktohen shkaqet e vdekjes.
“Lidhur me këtë çështje janë siguruar prova në vendin e ngjarjes të cilat do të shërbejnë për veprimet e mëtejme. Janë identifikuar dëshmitarët, të cilët mund të intervistohen për të kuptuar më shumë informata rreth ngjarjes”, u shpreh ai.
Mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se viktimat ishin në të 20-tat. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë ndarë me publikun detaje të tjera për këtë ngjarje.
Kosova
Tragjedi në Prizren, humb jetën një fëmijë njëvjeçar si pasojë e zjarrit
Një zjarr i madh ka shpërthyer sot në një shtëpi banimi pranë Shtëpisë së Kulturës në Prizren, ku si pasojë ka humbur jetën një fëmijë njëvjeçar.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe aktualisht po marrin trajtim mjekësor.
“Sot, më 30 dhjetor 2025, rreth orës 10:00, është raportuar një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të Prizrenit. Një fëmijë rreth 1 vjeç ka humbur jetën, dyshohet si pasojë e thithjes së tymit. Tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe po marrin trajtim në Emergjencë,” tha Bytyqi për Telegrafin.
Ai bëri të ditur se njësitë emergjente kanë reaguar menjëherë dhe zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht. Ekipet përkatëse vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes.
Bytyqi theksoi se shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore.
Kosova
“Tageszeitung” e Berlinit: “Shumë njerëz në mbarë Evropën Juglindore dëshirojnë personalitete si Kurti si politikanë në vendet e tyre”
Nuk kanë kaluar as pak muaj që kur Albin Kurti vizitoi Sarajevën, kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës.
Kryeministri i Kosovës mori duartrokitje të stuhishme nga politikanë e publicistë, nga antifashistë e punëtorë ndërtimi, nga gra e burra që ndodheshin rastësisht në atë ndërtesë. Kurti ka karizëm dhe është i besueshëm. Këtë e ndjenë njerëzit në sallë atëherë, dhe këtë e treguan edhe të dielën, kur Kosova e rizgjodhi Kurtin me 50 për qind të votave.
Gjithkush në atë sallë në Sarajevë e dinte se Albin Kurti, që kur ishte student në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, ishte pjesë e rezistencës me mjete paqësore kundër pushtimit serb; se ai dergjej në burgjet serbe që nga viti 1998 dhe se më në fund, në vitin 2000, pas luftës së Kosovës, mundi të kthehej në atdheun e tij. Serbët, deri para pak kohësh, donin të pengonin çdo kontakt mes shoqërisë boshnjake dhe asaj kosovare. Të dyja shoqëritë pësuan më së shumti gjatë luftërave të Jugosllavisë (1991-2001) nga sulmet e forcave ushtarake serbe; miliona njerëz u dëbuan atëherë dhe dhjetëra mijëra u vranë. Ky fat i bashkon ata.
Njësoj i bashkon edhe vetëdija se shoqëritë e përcaktuara mbi baza etnike çojnë vetëm në konflikte të mëtejshme. Bosnja, para 30 vitesh, u nda në zona etnike me ndihmën e rusëve, SHBA-së dhe gjithashtu Evropës; këtë gjë Kurti dëshiron ta shmangë me çdo kusht në Kosovë. Ai angazhohet për një shoqëri multietnike, duke qëndruar kështu pas kushtetutës së vendosur nga OKB-ja. Të drejtat e pakicave janë të garantuara, siç e dëshmojnë enklava e Graçanicës dhe zona të tjera. Por Serbia kërkon të imponojë ndarjen etnike në Kosovë dhe kështu provokon vazhdimisht konflikte, të cilat pastaj i faturohen Kurtit.
Por njerëzit në Kosovë i besojnë atij dhe qeverisë së tij; Kurti nuk është një „nacionalist i majtë“. Nuk është për t’u habitur që shumë njerëz në mbarë Evropën Juglindore dëshirojnë personalitete si Kurti si politikanë në vendet e tyre. /REL
-
UK2 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports2 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania2 days agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania9 hours agoIronia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …
-
Kosova1 day agoKëta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
